Lajme

Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Reçak


Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak

Gjatë ditës së shtunë të 15 janarit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut në 23 vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Tre krerët shtetëror të cilët ishin të shoqëruar edhe nga ministrat e qeverisë pas homazheve do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore në shtëpinë e kulturës në Komunën e Shtimes.

Në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te Kompleksi memorial i Reçakut, duke potencuar se krimin serb të dy dekadave më parë e ka dënuar e gjithë bota.

Ndër të tjerash Haradinaj ka thënë se bashkohen në nderim të viktimave të cilët kanë rënë për liri.

“Respekt të rënëve për liri në të gjithë vendin e veçanërisht viktimave të Masakrës së Reçakut, masakër që e ka dënuar e gjithë bota, bashkohemi sot në nderim të rënëve dhe sakrificës që kanë rënë për liri”, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj në Kompleksin Memorial në Reçak

Në përvjetorin e kësaj masakre ku me dhjetëra qytetarë po bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu nga këtu pas homazheve ka theksuar se populli shqiptarë duhet të kujtojë gjithmonë gjenocidin serb mbi të pafajshmit shqiptarë.

“Është masakra më barbare dhe më makabre që ka bërë ushtria serbe ndaj qytetarëve civilë vetëm se ka qenë shqiptarë dhe në trojet e tyre”, ka thënë Aliu.

Edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e shoqëruar me përfaqësues nga partia pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, ka theksuar se edhe pas 23 vitesh Serbia nuk ka kërkuar falje dhe nuk është penduar nga ajo që ka bërë në këtë vend.

“15 janari i vitit 1999 është një ditë e cila është e shënuar thellë në kujtesën jo vetëm timen po në kujtesën kolektive tonë si komb. Është ditë e dhimbjes së madhe por në të njëjtën kohë është edhe ditë e kthesës së madhe, është ditë e cila preku ndërgjegjen e botës së qytetëruar dhe e rreshtojë botën demokratike karshi nesh”, ka thënë Çitaku.

Vlora Çitaku në Kompleksin Memorial të Reçakut

Kosova më 15 janar përkujton masakrën e Reçakut, ku 23 vite më parë forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë 45 banorë të fshatit.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes dhe u tmerrua nga kufomat e masakruara.

Ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.”

Lajmi i masakrës sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore