Kosova

Krasniqi takohet me Szunyog: Qeveria po përjashton miqtë e po koordinohet me kriminelët


Tomas Szunyog dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të enjten ka takuar shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Krasniqi, ka bërë të ditur se ambasadorit çek i ka shprehur qëndrimet konsistent të PDK-së se integrimi euro-atlantik për Kosovën është i pa-alternativë dhe nuk guxon të rrezikohet nga askush.

“Qasja e kësaj Qeverie, përjashtuese me miq dhe koordinuese me kriminelë, për PDK-në është tërësisht e papranueshme dhe po i sjellë vetëm dëme vendit. Vetëm zgjedhjet e parakohshme mund t’ia sjellin Kosovës një Qeveri kredibile, ndryshe, dhe e cila rikthen vendin në kursin e duhur përpara”.

Krasniqi ndër të tjera ka falënderuar Szunyog për angazhimin e tij duke e siguruar këtë të fundit se PDK do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rolin e saj konstruktiv në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Jeffrey Hovenier dhe Memli Krasniqi

Ndryshe gjatë ditës Krasniqi u takua edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar një mori çështjesh përfshirë situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e PDK-së në raport me situatën.

Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, bëri të ditur se i ka thënë Hovenier se Qeveria aktuale e Kosovës e ka humbur rrugën, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë sipas tij alternativa e vetme.

“Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë, janë tërësisht të papranueshme”.

“Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi”.

Kraniqi ndër të tjera ka siguruar diplomatin amerikan që partia të cilën e drejton ai do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rolin e saj konstruktiv në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore