Kosova

Krasniqi pas takimit me Hetemin: Kryetari ka vazhduar me plotësimin e kabinetit të tij – ka emëruar drejtorë


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi është takuar me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetimin të premten.

Lajmin e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në takim me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, diskutuam për zhvillimet në Komunë me ç’rast Kryetari më njoftoi për vendimet e fundit”.

Ai tutje ka thënë se Hetemi ka emëruar drejtorë të rinjë në kabinetin e tij.

“Kryetari Hetemi, ka vazhduar me plotësimin e kabinetit të tij, si rrjedhojë ka emëruar drejtorë në drejtoritë përkatëse: Sretena Bojovic, Andjela Simic, Valton Peci dhe Arjeta Tahiri”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa ka falënderuar Hetemin për përkushtimin e tij që të punojë së bashku me kabinetin e tij për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.

Vizita e ministrit Krasniqi, siç kishin raportuar mediat lokale serbe, është pasuar me protestë të serbëve të cilët të indinjuar kanë thyer kordonin e sigurisë së KFOR-it dhe janë afruar në afërsi të hyrjes së ndërtesës komunale, duke bllokuar hyrjen – daljen në ndërtesën komunale.

Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç, para mediave ka thënë se informacionin për hyrjen e ministrit Krasniqi në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit e ka konfirmuar komandanti i kontingjentit hungarez të KFOR-it, i cili është edhe përgjegjësi për sigurinë e ndërtesës komunale.

Siç po raportojnë mediumet lokale, komandanti i KFOR-it i ka kërkuar serbëve të largohen e të mos tentojnë të futen brenda kordonit të sigurisë.

Megjithatë nga pamjet e siguruara shihet qartësisht se një numër relativisht i vogël i serbëve pas një dialogu me pjesëtarët e KFOR-it kanë vendosur ta thyejnë perimetrin e sigurisë e ta bllokojnë derën kryesore.

Në bisedë e sipër me pjesëtarët e KFOR-it, ish-kryetari i kësaj komune, ka bërë të ditur se serbët po kërkojnë që misioni i Aleancës Veri-Atlantike që të mos lejojë askënd të hyjë në ndërtesën e komunës, meqë sipas pretendimit të tij, në ndërtesën komunale pritet të hyjnë edhe nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit dhe disa këshilltarë komunal, të cilët po dëshirojnë të marrin disa vendime, sipas tyre kundër vullnetit të banorëve të Leposaviqit.

Për vizitën e Ministrit Krasniqi në Komunën e Leposaviqit ka reaguar edhe i ashtuquajturi drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili e ka cilësuar këtë si një “provokim të radhës”.

Ai madje ka bërë të ditur se për këtë çështje ka njoftuar edhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore