Lajme

Krasniqi e Kurti në ballafaqim – i kujtohet kryeministrit që si opozitar nuk e votoi as Marrëveshjen e vetme kontraktuale me BE-në


Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli në foltore të Kuvendit të Kosovës dhe akuzoi opozitën se po ia bllokon qeverisjen me mos votimin e marrëveshjeve qeveritare.

“Pse nuk po na i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, cila është arsyeja – bllokimi i Qeverisë. Po na i humbni grandet dhe kreditë e buta. Pa këto grante atëherë duhet të shpenzojmë paratë e taksapaguesve. Opozita nuk bën t’i bllokojë punët”, tha Kurti.

“Ne i kemi mbështetur marrëveshjet ndërkombëtarë sa kemi qenë në opozitë. Nga mbi 300 marrëveshje ndërkombëtare vetëm 3 nuk i kemi votuar. Po, ne si opozitë e kemi kundërshtuar marrëveshjet që kanë qenë të dëmshme. Marrëveshjet që tash po presin ratifikim nuk janë të tilla, janë marrëveshje që na japin para falë. Mos të jetë kjo temë ku pozita e opozita i thyen shpatat”, kërkoi Kurti.

Menjëherë pas tij, fjalën e mori kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ai ia kujtoi Kurtit se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka votuar as Marrëveshjen për Stabilizim Asociimi, marrëveshja e vetme kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, nga e cila kanë ardhur fondet më të mëdha për Kosovën.

“Ne s’kemi përgjegjësi pse na ka sanksionuar perëndimi. Ju vini e kërkoni konstruktivitet e qasja juaj veç konstruktive s’ka qenë. Dhe jo veç me opozitën, po me vetë qytetarët. Kosova është e përjashtuar nga programet e BE-së e ju vini thoni i humbim mjetet. Janë 500 milionë euro që i kemi votuar deri tani. A keni implementuar gjë? Jo”, deklaroi Krasniqi

“S’je ti që brengoset për ndonjë kategori në Kosovë. Gojën plotë me polici, s’jeni gjendje ta votoni rezolutën. Ti je shembulli më i keq i opozitarit që e ka pas najherë Kosova. Ti as marrëveshjen për Stabilizim Asociim nuk e ke mbështetur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore