Lajme

Krasniqi: Bombardimet e NATO-s gjunjëzuan Millosheviç-in dhe aparatin e tij kriminal


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar 24 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s duke thënë se kishin ardhur me kërkesë të popullit të Kosovës për liri.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka theksuar se ky kapitull krijoi shpresë të re për qytetarët.

“Kjo ndërhyrje, e cila erdhi si rrjedhojë e përpjekjeve, kërkesës dhe rezistencës së popullit tonë për liri, përfshirë luftën e drejtë dhe të guximshme të UÇK-së, i dha fund një regjimi gjenocidal duke hapur epokën e ëndërruar të lirisë për ne”.

“Ky kapitull, kjo shpresë e re, ndihmoi çlirimin, pavarësinë dhe krijimin e shtetit tonë. Prandaj, u jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve tanë ndërkombëtarë, shteteve anëtare të NATO-s, të cilat 24 vite më parë realizuan këtë mision fisnik dhe humanitar”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi, tutje ka shtuar se vetëm kështu është gjunjëzuar kasapi i Ballkanit.

“Sot shënojmë 24 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi, të cilat, për 78 ditë gjunjëzuan kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç dhe aparatin e tij kriminal”.

“Faleminderit – dje, sot, nesër, përgjithmonë!”.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 24 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër shumë më të vogël, rreth 3.600 sosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore