Shqipëria

KQZ publikon qendrat e votimit që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nё median sociale Facebook, ka lajmёruar rezultatin e shortit përzgjedhjes së 10% të Qendrave të Votimit të Zgjedhjeve të 25 Prillit, që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor.

Celibashi njoftoi se, rishikimi paszgjedhor i fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore për këto qendra do të fillojë në KQZ, ditën e premte, ora 12:00.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri miratoi të enjten e 7 tetorit projekt-udhëzimin e procedurave të këqyrjes pas zgjedhore të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore.

Ky proces konsiston në hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit.

Po ashtu, edhe në monitorimin dhe vlerësimin e funksionimit të pajisjeve të teknologjisë së informacionit, të përdorura në zgjedhjet e datës 25 prill 2021.

Ky projekt-udhëzim ka si qëllim të verifikojë rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave.

Ndërsa për kërkesën e organizatës Qëndresa Qytetare (QQ), për shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor në lidhje me zhvillimin e fushatës elektorale në ambientet e bibliotekës “Misto Treska”, Tiranë, KQZ vendosi shtyrjen e seancës dhe vijimin e hetimit administrative.

Më herët, QQ-ja ka dorëzuar ankesën pranë KQZ-së, për rishqyrtimin e akuzave të ngritura ndaj kandidatëve socialist.

Bëhet fjalë për Alqi Bllakon, Kledina Skendon, Alfred Muharremni dhe Bashkinë Tiranë, ku sipas organizatës kanë përdorur asetet publike në fushatë.

Vetë Qëndresa Qytetare, përmes një postimi në median sociale Facebook, ka bërë me dije se Komisioni ka vendosur rihapjen e hetimit administrativ, të plotë dhe të gjithëanshëm nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, duke u garantuar palëve të drejtat për procesin administrativ.

“KQZ në rast se evidenton kundravajtje administrative, t’i propozojë KAS-it vendosjen e sanksioneve administrative ndaj personave përgjegjës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore