Zgjedhjet në Kosovë

KQZ: Pas raundit të parë, balotazhi do të mbahet më 14 nëntor


Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror Zgjedhor në Kosovë

Pesë ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen këtë të diele të 17 tetorit.

Të gjithë kandidatët për kryetar të komunave të cilët nuk arrijnë të marrin besimin e më shumë se 50%+1 të qytetarëve, atëherë do të organizohet raundi i dytë i zgjedhjeve, i njohur në gjuhën e zgjedhjeve si balotazh.

Kësisoj, balotazhi do të organizohet gati një muaj pas zgjedhjeve të para, më 14 nëntor.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ligji për zgjedhjet lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar që të organizojë raundin e dytë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë”.

“Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë. Në raundin e dytë, kandidati i cili fiton shumicën e votave, zgjidhët Kryetar i Komunës”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, gjysma e komunave ka shkuar në balotazh.

“Në Zgjedhjet Lokale 2017, raundi i dytë është organizuar në 50% të komunave apo në 19 nga 38”.

“Por, nëse flasim për nga detajet e një procesi zgjedhor, raundi i dytë është organizuar në rreth 71% e vendvotimeve apo në 1,777 nga 2,505, si dhe numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë ka qenë rreth 72% e votuesve apo rreth 1.4 milion votues nga rreth 1,9 milion votues”, ka përfunduar Elezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore