Zgjedhjet në Kosovë

KQZ: Nuk dihet kur fillon numërimi i votave me kusht


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, ka filluar me publikimin e kopjeve të skanuara të formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën të dielën.

Kështu beri të ditur në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai sqaroi se ky publikim nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare, por këto janë vetëm forma të rezultateve të plotësuara në vendvotime, më 14 shkurt 2021.

“Të gjithë të interesuarit do të mund të shohin rezultatet e subjekteve politike dhe kandidatëve për secilin vendvotim duke shfletuar kopjet e këtyre formularëve të cilët janë plotësuar në vendvotime nga Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, të dielën në mbrëmje pas numërimit të fletëvotimeve. Publikimi i formularëve nga komunat tjera është në proces. Pra, pas përfundimit të skanimit të tyre nga ndonjë komunë, formularët do të publikohen në web faqen e KQZ-së”, tha Elezi.

Ai foli edhe për kohën se kur do të publikohen votat me postë dhe votat me kusht, tha se nuk kanë ndonjë datë të saktë, për shkak se janë procedurat e verifikimit në QNR, për të shikuar nëse ndonjë votues ka mundësi që të ketë votuar në dy rastet.

“Ndonjë datë nuk kemi për faktin se po shohim se për sa kohë do na duhet qe të përmbyllim te gjitha këto procedura që janë këtu në QNR”

“Gjate periudhës se votimit përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 43 500 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë vendit. Numërimi i tyre behet shpejt, nuk zgjat shumë dhe besojmë brenda një deri në dy ditë, rezultati i tyre i bashkohet rezultatit te vendvotimeve” përfundoi Valmir Elezi.

Elezi, në fund bëri të ditur se pas numërimit të votave me kusht, të personave me aftësi të kufizuara dhe atyre me postë, do të bashkohen rezultatet dhe KQZ-ja do të del me një njoftim të radhës.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore