Shqipëria

KQZ merr 190 milionë lekë fond shtesë për zgjedhjet e 6 marsit


Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) do t’i shtohet një fond prej 190 milionë lekësh nga buxheti i vitit 2022. Kjo sipas vendimit të miratuar nga qeveria shqiptare të mërkurën e 9 shkurtit.

Ky fond do të shkojë për mbulim të shpenzimeve të KQZ-së në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në gjashtë bashki.

Propozimi për fondin erdhi nga ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe Këshilli i Ministrave.

Gjithashtu, sipas vendimit, i cili hyn në fuqi menjëherë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi.

Fondi monetar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) iu ka vënë në dispozicion partive politike shqiptare, për vitin 2022, kap shifrën prej 345 milionë e 600 mijë lekësh.

Do të jenë 11 parti që do të përfitojnë nga ky fond, ku më së shumti do të përfitojë Partia Socialiste e Shqipërisë (PS).

KQZ i akordon 151 milionë e 494 mijë lekë në dispozicion partisë, e cila ka dhe mazhorancën në Kuvendin e Shqipërisë.

Kurse, fondin prej 104 milionë e 900 mijë lekë, KQZ ia akordon Partisë Demokratikë (PD).

E treta nga renditja është Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), të cilës do t’i jepet fondi prej 9 milionë e 700 mijë lekë.

Më 6 mars do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit dhe fushata nuk ka filluar akoma.

Celibashi ka njoftuar se janë regjistruar zyrtarisht 11 subjekteve partiake në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Përkatësisht regjistrohen partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Më 31 janar, LSI-ja dhe PDK-ja firmosën koalicionin për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit me Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, nën logon “Shtëpia e Lirisë”.

Ndërsa më 1 shkurt, LSI-ja ka paraqitur KQZ-së, kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore