Lajme

KQZ-ja zyrtarizon rezultatin elektoral në katër komuna në veri të Kosovës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka zyrtarizuar të martën e 25 prillit rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa në Zveçan dhe Zubin-Potok ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se fitues për kryetar komunash në katër komunat veriore janë: Lulzim Hetemi i LVV-së, në Leposaviq, Izmir Zeqiri nga PDK në Zubin Potok, në Komunë të Zveçanit fitues është Ilir Peci nga PDK-ja dhe Erden Atiq nga LVV, në Mitrovicë të Veriut.

“Kandidati Lulzim Hetemi i LVV-së në Leposaviq me 100 vota, apo 73.5 për qind konsiderohet si fitues i zgjedhjeve, në Zubin Potok fitues është Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës më 197 vota apo 52.2 për qind, në Komunën e  Zveçanit fitues është Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës më 114 vota apo 59 për qind, ndërsa në Mitrovicë të Veriut fitues është Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje me 553 vota, apo 66.9 për qind. Ankesë të rezultatet palët e pakënaqura kanë të drejtë deri nesër në orën 14:00. Rezultatet më të detajuara do të shpallen në web faqen e KQZ-së”, sqaroi kryekomisioneri.

Kujtojmë që nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Më parë këto komuna janë udhëhequr nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe e cila kësaj here bojkotoi zgjedhjet.

Për bojkotimin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës, liderët e Kosovës fajësuan ndikimin e Beogradit.

Ndryshe, vetëm 1 mijë e 567 qytetarë kanë votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur këtë të diele, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejtë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Këtë të dhëna i ka bërë të ditura Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media pasi janë mbyllur qendrat e votimit, të dielën e 23 prillit.

Në komunën e Leposaviqit kanë marrë pjesë 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Putok 385 votues, apo 5.78 për qind, në Zveçan 204, apo 2.92 për qind, dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut 837 votues, apo 4. 62 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore