Lajme

KQZ-ja nuk miraton dërgimin në Prokurori të shkeljeve për blerjen e dezinfektuesve


Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), nuk ka miratuar raportin e Auditimit për dërgimin në Prokurori të shkeljeve për blerjen e maskave dhe pajisjeve të tjera në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 më 14 shkurt.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, u shpreh se shkeljet e paraqitura nga auditori i brendshëm për blerjen e dezinfektuesve duhet të dërgohet në prokurori.

“Ajo çka është konstatuar nga komiteti i auditimit është se ka pasur shkelje zinxhirë prej veprimit të parit deri në veprimin e fundit. Raporti është miratuar nga komiteti i auditimit”, deklaroi Kurteshi.

Ai ka thënë se ka propozuar që raportet të shkojnë në institucionet hetimore.

“Unë si kryesues i komitetit të auditimit kam propozuar se ky raport dhe raporti i mëparshëm në lidhje me zgjedhjet të shkojnë në institucionet hetimore, nuk kemi nxjerr një vendim të tillë si komitet”.

“Këtë çështje e kam diskutuar në KQZ, por këta nuk e kanë shpreh një vendim për t’i dërguar apo jo. Por unë personalisht kam shpreh për t’i dërguar në hetuesi, pasi ka shkelje zinxhirë në gjithë menaxhimin e atij projekti sa i përket dezinfektuesve”.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Kurteshi propozoi që shkeljet e paraqitura nga auditori i brendshëm për blerjen e dezinfektuesve duhet të dërgohen në prokurori, mbështetje atij i dha edhe kolegu në KQZ, Alim Rama..

Por, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se nuk kanë asnjë obligim për t’i dërguar shkeljet në prokurori.

“Asnjë obligim se kemi t’i dërgojmë, raportet e auditimit janë publike, munden të vijnë t’i këqyr policia, prokuroria dhe kush dëshiron”, tha Radoniqi.

Po ashtu, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, potencoi se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ndaj përgjegjësve për blerjen e këtyre dezinfektuesve.

“Sekretariati ka marrë veprime, ka shtuar kontrollin e brendshëm në të gjitha hallkat nga hartimi i specifikave deri tek pranimi i të gjitha materialeve. Po ashtu, ka marrë veprime edhe ndaj të gjithë stafit që kanë qenë në hartimin e specifikave dhe pranimin e mallit”, shtoi Ahmetaj.

Ndërkaq, përfaqësuesja nga Zyra për Regjistrimin e partive politike, Valmira Selmani, arsyetoi vendimin për ndarjen e 4.2 milionë eurove për partitë politike gjatë vitit 2022.

“Subjektet politike financohen nga buxheti i Kosovës dhe fondi për përkrahjen e subjekteve politike që funksionon në kuadër të KQZ-së. Pjesë e këtij rekomandimi është tabela për secilin subjekt në bazë të numrit të ulëseve sa i takon buxheti… Shuma është për secilin subjekt por edhe buxheti që takon për tërë vitin 4 milionë e 200 mijë euro”, deklaroi ajo.

Gjatë kësaj mbledhje, u bë edhe zëvendësimi i anëtarëve të kuvendeve komunale në komunën e Klinë, Zubin Potok, Lipjan, Rahovec, Deçan, Pejë dhe Prizren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore