Lajme

KQZ: 500 vendvotime në proces të rinumërimit, nuk janë të fundit


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të rreth 500 vendvotimeve pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Por, të njëjtat nuk janë të fundit që do të rinumërohen. Kjo për shkak të pranimit të një numri tjetër të vendimeve.

Kështu ka thënë për Albanian Post, Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund t’ua konfirmoj se këto rreth 500 vendvotime nuk janë të fundit që do të rinumërohen. Gjatë të martës KQZ-ja ka pranuar edhe një numër tjetër të vendimeve nga PZAP lidhur me ankesat kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja dhe të paraqitura në këtë institucion nga kandidatët për Kuvende Komunale”, ka thënë Elezi.

Siç theksoi ai, “jemi duke bërë listimin e këtyre vendvotimeve që përmenden në këto vendime”.

“Numri i vendvotimeve të cilat do të rinumërohen, sipas vendimeve të cilat i kemi pranuar të hënën, është rreth 500. Të gjitha këto vendvotime u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale”, shtoi ai.

Ilustrim

Ndërkohë, Elezi, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokaleve në Kosovë, që pritet të mbahet të dielën e 14 nëntorit do të organizohet në një mijë e 638 vendvotime nga dy mijë e 477.

Sipas tij numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë 21 komunave, është 1 një milion 260 mijë e 571 apo 624 mijë e 887 më pak krahasuar me numrin e votuesve të certifikuar në raundin e parë për zgjedhjet në 38 komuna.

“Kjo është harta e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave, që do të mbahet këtë të diele, më 14 nëntor 2021. Harta tregon se nga aspekti organizativ procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1 mijë e 638 nga 2 mijë e 477”, ka thënë Elezi.

Harta e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave

KQZ, në mbledhjen e tij të radhës me tre nëntor të këtij viti kishte shpallur rezultatet përfundimtare për Asambletë Komunale.

Kështu bazuar në të dhënat e KQZ-së, Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të marrë 170 mijë vota duke u bërë partia më e votuar në Zgjedhjet Lokale.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 193 ulëse në Kuvendet Komunale duke arritur të grumbullojë 168 mijë e 84 vota.

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës ka dalë si partia e tretë në këto Zgjedhjet Lokale duke akumuluar 161 mijë e 645 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka marrë 9 mijë e 863 vota në tërë vendin do të ketë 120 asamblistë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore