Lajme

Kovaçevski dorëhiqet nga posti i kryeministrit, hapet rruga që Talat Xhaferi ta marrë pozitën


Talat Xhaferi dhe Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, këtë të enjte edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga postimi i kreut të ekzekutivit maqedonas, duke hapur rrugën për procesin e formimit të një qeverie teknike.

Kështu të paktën ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili pritet të jep dorëheqje, duke filluar detyrën si kryeministër teknik për 100 ditë para zgjedhjeve të majit.

“Në takimin me Kryetarin e Qeverisë, Kovaçevski më informoi se e ka dorëzuar dorëheqjen në Kuvend dhe biseduam për raportin ndërmjet dy degëve shtetërore dhe sukseset që u arritën si rezultat i atij raporti. I urova Dimitrit shëndet, përparim dhe sukses në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Xhaferi në platformën sociale, Facebook.

Gjatë dorëzimit të dorëheqjes në Kuvend, Kovaçevski ka thënë se ai sërish do të kthehet në këtë post, pas zgjedhjeve parlamentare.

“Më 9 maj Qeveria sërish do të udhëhiqet nga unë sikur edhe shumica parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, ka deklaruar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Ai ka thënë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë “betejë mes partive politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”.

Kuvendi pritet që të premten të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, i cili aktualisht është kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), derisa të dielën deputetët maqedonas do të votojnë për qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut – për herë të parë nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Përveç LSDM-së dhe BDI-së, aktualisht në pushtet, në qeverisjen teknike duhet të jetë edhe opozita (VMRO-DPMNE), të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa miratimin e tyre.

E paqartë mbetet pjesëmarrja e opozitës nacionaliste nën drejtimin e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut sepse ai është shprehur kundër që ekzekutivi të udhëhiqet nga një shqiptar, duke paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë në legjislativin maqedonas ministrat e propozuar në qeverinë 100-ditëshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore