Lajme

Kosovë: 100 inspektorë të angazhuar për mbikëqyrjen e masave anti-COVID


100 inspektorë janë angazhuar në gjithë territorin e Kosovës për të parë nëse po zbatohen masat e reja anti-COVID të Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Albanian Post, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

‘Ne si Agjenci prej fillimit të pandemisë jemi në vijën e parë bashkë me policinë e Kosovës në mbikëqyrje të zbatimit të masava anti-COVID. Aktualisht në terren i kemi 100 inspektorë të ndarë në dy ndërrime dhe janë duke lëvizur në gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Sipas Thaçit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë zhvilluar aksion në rajonin e Pejës të martën në mbrëmje për mbikëqyrje të masave anti-COVID.

“Ne kemi qenë mbrëmë në një aksion në regjionin e Pejës dhe kemi shqiptuar disa gjoba për lokalet e gastronomisë, konfrom vendimit të ri të qeverisë. Gjitha inspektimet bëhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe përveç kësaj kemi edhe një task-forcë të inspektorëve që e kemi aplikuar nga e premtja e kaluar”, shtoi Thaçi.

Thaçi ka treguar se cilat janë shkeljet më të shpeshta që janë bërë në kundërshtim me masat anti-COVID.

“Shkeljet kanë qenë të ndryshme, por dominojnë mosplotësimi i kushteve për distancën sociale. Distanca mes tyre zakonisht nuk ka qenë e duhur. Kemi hasë edhe në raste kur ka pasur organizime të ndryshme dhe për secilin rast masa ndëshkimore ka qenë konform ligjit”.

“Në shumë raste kemi bë edhe mbyllje të përkohshme kur operatori nuk ka kuptuar me masën ndëshkimore të gjobës”, potencoi Thaçi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë të jenë të kuptueshëm karshi vendimeve të qeverisë.

‘Ne i bëjmë apel që vendimi i qeverisë të respektohet nga qytetarët, pasi ne do të jemi të detyruar që të shqiptojmë gjoba dhe masa tjera ndëshkimore.

Të mërkurën kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID.

Në kuadër të këtyre masave do të ndalohet qarkullimi nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Shkollat do të mbyllen dhe gastronomia do të funksionojë me shërbimin “merre me vete”.

Po ashtu institucionet publike dhe private të arsimit para universitar do jenë online nga data 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga data 7 deri më 18 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore