Lajme

Kosovë: Zyrtarët e lartë kanë një muaj afat ta bëjnë deklarimin e pasurisë


Nga një marsi të gjithë zyrtarët e lartë në Kosovë duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë, ka njoftuar Agjencia kundër Korrupsionit përmes faqes zyrtare.

Të gjithë zyrtarët e kanë të përcaktuar afatin kohor për deklarim të pasurisë, të cilët detyrohen ta kryejnë këtë proces që nga një marsi e deri më 31 mars.

“Në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, më 01.mars 2021, ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, ku të  gjithë zyrtarët e lartë publik  janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Agjencia kundër Korrupsionit “do të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 437 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.

Tutje, thuhet se me qëllim për tu mbrojtur nga Covid-19 dhe për t’i respektuar masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, “deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë do të behet nëpërmjet formës elektronike në email adresën [email protected]”.

Ndërsa  formularët e deklarimit të pasurisë “duhet të dërgohen të nënshkruar dhe të skanuar nga ana e subjekteve deklaruese”.

Agjencia kundër Korrupsionit ka dërguar njoftimin tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që zyrtarët të bëjnë deklarimin e pasurisë sipas afateve kohore.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore