Kosova

Kosovë: Zonat rurale më problematiket në keqpërdorimin e ujit


Zonat rurale janë më problematiket në keqpërdorimin e ujit të pijshëm. Por, keqpërdorimet që deri para 5 vjetësh ishin me gjobë, tani konsiderohen vepra penale.

Kështu thuhet nga Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës, që sipas tyre, keqpërdorimet pasohen nga vendbanimet gjysmë urbane dhe në fund vijnë ato urbane.

“Zonat më problematike që keqpërdorin ujin e pijshëm janë: zonat rurale, që vazhdojnë keqpërdorimin nga muaji maj deri në tetor, ku ujin e pijshëm e përdorin për ujitje të kopshteve, për kultivim perimesh e deri në kultura bujqësore që kanë sipërfaqe të mëdha”, thuhet në një përgjigje për Albanian Post, të zyrës për komunikim të Ujësjellësit Prishtina.

Sipas tyre, zonat gjysmë urbane, pasojnë zonat rurale për kah keqpërdorimi, ndërsa  ato urbane janë në zonën e tretë si keqpërdorues, duke nisur nga restorantet, punishtet e ndërtimeve të reja por pa përjashtim edhe konsumatorë të tjerë.

Ujësjellësi Prishtina thotë ka hartuar një plan për t’i eliminuar keqpërdorimet e ujit të pijes nga departamenti i ujit të pa faturuar.

“Procedurat për identifikimin dhe hetimin e lidhjeve të paligjshme,  procedurat për identifikimin dhe hetimin e rilidhjeve të paligjshme, procedurat për identifikimin dhe hetimin e kyçjeve para ujëmatësit (By pass) dhe procedurat për identifikimin dhe hetimin e kthimit të ujëmatësit për shlyerje të konsumit të harxhuar”.

Por, për ndëshkimin e këtyre keqpërdoruesve më herët Autoriteti i Rregullator për Shërbime të Ujit kishte parapa një gjobë për kyçjet ilegale në vlerë 100 euro, por që tashmë nuk është.

“Gjoba për kyçje ilegale në shumën prej 100 euro nga 09.08.2016 kjo është larguar”, kanë thënë nga Ujësjellësi.

Ujësjellësi Prishtina shpjegon edhe format e ndëshkimit për ata që keqpërdorin ujin, e që e konsideron si mjetin e vetëm për t’i parandaluar humbjet.

“Ofruesi i shërbimeve mund të iniciojë procedurë penale në gjykatën kompetente ndaj cilitdo person fizik dhe juridik i cili ka kryer shkelje në bazë të Kodit Penal të Kosovës.

Kyçjet ilegale po ashtu po paraqesin shqetësim për Ujësjellësin, kryesisht nëpër komuna ku furnizohen prej këtij operatori.

Mirëpo, bashkëpunimi i Ujësjellësit me komunat nuk është i kënaqshëm, që do të ndihmonte në parandalimin e keqpërdorimeve të ujit.

“Bashkëpunimi me Komunat nuk është në nivel që duhet të jetë në parandalimin e keqpërdorimeve të ujit te pijshëm. Vite më parë Komuna e Prishtinës në këtë periudhë nxirrte një gjobë mandatore lidhur keqpërdorimet e ujit dhe inspektorë të Kompanisë dhe komunës kanë kryer inspektime ditore nëpër lagje të Prishtinës. Është mirë që kjo praktik të vazhdojë edhe këtë vit dhe jo vetëm me Komunën e Prishtinës”.

Ujësjellësi pret përkrahje nga Qeveria e Kosovës që të merr hapa në zvogëlimit te ujit të pa faturuar.

“Me vite Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve në Kosovë operojnë me humbje të ujit mbi shkallën 50% , ku pothuajse të gjitha vendet e rajonit sillen në ketë shkallë të humbjeve, por ne nuk duhet të bazohemi me humbjet e ujit në vendet tjera pasi ato kanë edhe resurse më të mëdha të ujit, e tek ne janë rezervat dukshëm me te ulëta, ku varemi kryesisht nga reshjet”.

Sipas Ujësjellësit Prishtina, humbjet e ujit në katër vitet e  fundit sillen nga 53-57%, e ku 7% janë më të mëdha se strategjia për zvogëlimin e humbjeve të ujit.

“Kjo vjen si rezultat edhe i furnizimit me ujë pa ndërprerje 24/7 si dhe vjetërsinë e rrjetave të ujësjellësit dhe numrit të madh te keqpërdorimeve të ujit”.

Në Ujësjellës bëjnë të ditur se borxhi total i konsumatorëve të të gjitha kategorive ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit deri më datë 1 maj 2021 është rreth 48 milionë euro.

“Shkalla e arkëtimit në vitin 2020 ka qenë 83%, ndërsa vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2021 është 94%, por janë edhe 8 muaj të vitit 2021 që të shohim se a do zbret kjo shkallë e arkëtimit apo do mbetet e tillë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore