Lajme

Kosovë: “Zjarri në Viva Fresh nuk do të shuhet deri në mbrëmjen e së martës”


Zjarr në objektin e megamarketit Viva Fresh Store në Ferizaj

“Sonte ka qenë gjendje e jashtëzakonshme, kemi mobilizuar të gjithë zjarrfikësit e Ferizajt dhe regjionit, nga Vitia, Gjilani, Kacaniku, Shtimja e Lipjani”, ka treguar për Klan Kosova, Komandanti i Zjarrfikësve të Komunës ë Ferizajt, Zymri Krasniqi, të hënën mbrëma, pak minuta pas lokalizimit të zjarrit i cili përfshiu objektin e Viva Fresh Store, në këtë qytet.

“Tani zjarri është nën kontrolle”, ka vazhduar më tej Krasniqi, duke shtuar se nuk është raportuar për asnjë të lënduar.

“Fati që nuk ka pas asnjë person të lënduar, deri në këto momente nuk dimë që ka ndonjë të lënduar. Përpos ndonjë zjarrfikës që ka mund të asfiksohet nga tymi”.

Zjarri është lokalizuar dhe gjendja është nën kontrollë, por komandant Krasniqi tregon se zjarri nuk do të shuhet deri në orët e mbrëmjes të ditës së martë.

“Zjarri do të vazhdoj edhe nesër deri në orët e mbrëmjes, zjarrfikësit do të jenë në gjendje gatishmërie, deri në momentin e fundit, deri në shkëndinë e fundit zjarrfikësit do të jenë pranë vatrës së zjarrit”.

“Nuk do të lejojmë që të eskaloj gjendja më tutje”, ka shtuar Krasniqi.

Afër objektit i cili u mbyt nga zjarri, gjendet edhe një pikë karburanti, e cila njëherit ishte caku kryesor i zjarrfikësve për ta siguruar.

“Pompa ka qenë shumë afër këtu, në perimetër diku 20 metra”.

“Në fillim ka qenë rrezik permanent pompa. Ne, të gjitha forcat i kemi orientuar te pompa në fillim, e kemi mbajtur distancën me shuarje të zjarrit me anë të shkumës, ujit, ftohjes dhe nuk kemi lejuar që zjarri të shkoj në drejtim të pompës. I kemi dhënë kahje zjarrit në pjesë ku nuk ka objekte, kështu që e kemi rruajt sigurinë dhe perimetrin e pompës”.

“Ka qenë gjendje e jashtëzakonshme, unë i falënderoj të gjithë zjarrfikësit tanë dhe të regjionit e ata që kanë ardhur nga shtëpia, që të mobilizohen në kohë të natës dhe kemi arritur që t’a ruajmë qytetin e të mos na përhapet zjarri”, ka shpjeguar Krasniqi.

Për të lokalizuar këtë zjarr në Ferizaj, ishin angazhuar diku rreth 40 zjarrfikës me 10 automjete për shuarje të zjarrit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se ekipet e policisë dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 00:11 policia ka pranuar një informacion se qendra tregtare “Viva Fresh Story” afër policisë është kapluar nga një zjarr. Ekipet e policisë dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes”, tha Veseli për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore