Lajme

Kosovë: S’ka kuorum për marrëveshjet ndërkombëtare


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të vazhdojë punimet për vazhdimin e seancës për pikat e mbetura për shkak të mungesës së kuorumit.

Kështu ka thënë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, duke propozuar që debati për këto pika të kthehet në Kryesinë e Kuvendit.

“Nuk kemi kuorum të mjaftueshëm për votim. Debati është shtyrë për të gjitha pikat që kanë mbetur nga seancat paraprake dhe kërkohen për marrëveshje ndërkombëtare së paku 80 vota për të kaluar. Tani për tani nuk kemi kuorum. Propozoj këtë diskutim ta kthejmë në mbledhje të kryesisë dhe të caktohet një seancë kur plotësohen kushtet që të vazhdojmë me këto pika të mbetura nga dy seancat e më hershme. Ju njoftojmë me kohë për datën dhe vazhdimin e këtyre seancave”, është shprehur Bogujevci.

Katër pikat që priteshin të votoheshin në këtë seancë ishin:

“Votimi i Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10”.

“Votimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II)”.

“Votimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+)  (ada numri referues 8116-00-2020)”.

“Votimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj Covid-19”.

Ndryshe, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës kur në rend dite ishte votimi i katër marrëveshjeve ndërkombëtare, derisa deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ishin prezentë në seancë.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, gjatë një konferencë për media ka thënë se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën ku do të miratohen katër marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndërkohë me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës plenare të së mërkurës kanë miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore