Lajme

Kosovë: Protestë kundër reduktimeve të energjisë elektrike


Ilustrim

Kundër reduktimeve të enegjisë elektrike, në Kosovë, në qendër të Pishtinës këtë të hënë janë organizuar protesta.

Fillimisht është paralajmëruar një konferencë për media, e cila do të mbahet duke filluar nga ora 11:00, para Qeverisë së Kosovës.

Organizatorët e protestës kërkojnë nga KEDS rrymë 24 orë/7 ditë në javë, shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli si dhe nacionalizimin e KEDS-it.

Në një event në Facebook ku ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës që të bashkohen në protesta, siç i quajnë mbarëkombëtare, kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të vendit.

“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike”.

“Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në njoftimin e protestës.

Tutje, në këtë paralajmërim thuhet se KEDS-i është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizimin me energji elektrike 24 orë/7 ditë në javë.

“Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike”, thuhet më tutje në këtë paralajmërim.

Qeveria e Kosovës është duke kërkuar vazhdimisht nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, ndërsa ka bërë të ditur se do të ndajë shumën e nevojshme të mjeteve, për mbulimin e importeve.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për vitet 2022-2031. Kjo strategji thuhet se do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë

Kosova prodhon deri në 85 për qind të energjisë elektrike përmes termocentraleve me thëngjill dhe sasi shumë të vogla nga burimet e ripërtërishme, si hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet fotovoltaike.

Ndryshe Qeveria e Kosovës pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë që u mbajte të premten e 24 dhjetorit kishte njoftuar se ka vendosur masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilët do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë, vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast qeveria është e obliguar t’i ndërpres ato.

Në arsyetim e Qeverisë së Kosovës thuhet se Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin, dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore