Lajme

Kosovë: Policia jep detaje për arrestimin e zyrtarëve të Prokurimit


Ilustrim

Dy zyrtarë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit janë arrestuar të premten nën dyshimin për korrupsion, njëri prej të cilëve është kapur në flagrancë duke marrë 8 mijë euro ryshfet.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se, ankuesi nga një kompani private ka informuar organet e rendit se i është kërkuar ryshfet në mënyrë që kompania e tij të fitonte një tender.

“Ankuesi i një kompanie private ka informuar se nga një zyrtar i Agjencisë Qendror të Prokurimit (AQP), i është kërkuar ryshfet që kompania e tij të fitojë tenderin. Njësia policore ka kapur në flagrancë të dyshuarin mashkull kosovar, i cili kishte marr 8000 euro para të gatshëm”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Për arrestime ka njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili po ashtu bëri të ditur se janë arrestuar tre persona për korrupsion, në mesin e të cilëve janë dy zyrtarë të AQP-së.

“Policia e Kosovës nuk ndalet së luftuari grupet e organizuara kriminale”, ka shkruar Sveçla.

Lidhur me rastin janë intervistuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, ku me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

Operacioni për arrestimin e zyrtarëve të prokurimit është realizuar të premten e 10 shtatorit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me prokuroritë kompetente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore