Lajme

Kosovë: Policia arreston katër persona në Telekom për Mashtrim në Prokurim


Ilustrim

Policia e Republikës së Kosovës, pas hetimeve të ndërmarra të mërkurën ka arrestuar katër (4) zyrtarë në Telekomit të Kosovës nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim në Prokurim”.

Në këtë aksion janë arrestuar tri femra dhe një mashkull me iniciale (K.J., F.J., M.P., dhe Sh. Sh.).

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot me datë 09.03.2022, ka arrestuar katër (4) persona të dyshuar zyrtarë në Telekomin e Kosovës” nën dyshimin se “në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të Marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe një Kompanie të nënshkruar në vitin 2018”, thuhet në njoftim të policisë.

Telekomi i Kosovës

Sipas njoftimit të policisë thuhet se të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme.

“Me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R. K.) pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100,000.00 (Njëqind mijë euro)”.

Ndërsa i dyshuari me inicialet (R. K.) i cili është pronar i kompanisë “i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë, për procedurë të mëtejme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore