Lajme

Kosovë: Përmbyllet java e parë e vaksinimit, 2500 të vaksinuar


“Që nga fillimi i vaksinimit, në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në shtatë komunat ku është i organizuar Kujdesi Dytësor Shëndetësor, janë vaksinuar mbi 2 mijë e 500 punonjës të institucioneve shëndetësore”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.

Në këtë njoftim thuhet se përmes vaksinimit kundër COVID-19, synohet të arrihet imunizimi aktiv për të parandaluar COVID-19, të shkaktuar nga virusi SARS-Cov-2.

Tutje në njoftim është sqaruar se sipas planit shtetëror të vaksinimit kundër Coronavirusit, vaksinimi edhe në ditët në vijim shtrihet në mesin e punonjësve shëndetësor në kujdesin parësor dhe më pas edhe te moshat e shtyra.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur më 30 mars, ndërsa dy ditë më parë 24 mijë doza të vaksinës nga kompania AstraZeneca në Kosovë i solli Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Ndërsa sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 93 mijë e 655 ku 14 mijë e 307 mbesin raste aktive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore