Lajme

Kosovë: Për shkak të sigurisë, policia bllokon trafikun përkohësisht gjatë vizitës së Scholz


Policia e Kosovës

Vizita e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, këtë të premte në Kosovë, do të bëj që disa rrugë në Prishtinë të bllokohen për qarkullim.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të sigurisë, do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojë eskorta.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta”.

Policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Vizita e kancelarit Scholz, është vizita e tretë e një përfaqësuesi të nivelit të lartë të shtetit gjerman brenda më pak se tre muajve, e cila po ndodh në kohën kur po organizohet samiti i radhës i nismës rajonale të Ballkanit të Hapur, i cili proklamohet si zgjatje e Procesit të Berlinit, e që këtë të fundit Scholz po tenton ta ringjallë.

Olaf Scholz dhe Albin Kurti, më 4 maj në Berlin

Më 4 maj, kancelari gjerman priti në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili për këtë të fundit ishte takimi i parë me Scholz, prej që ky i fundit zëvendësoi, muaj më parë, Angela Merkel.

Pas takimi kokë më kokë në të cilën mediat nuk ishin të pranishëm, në një konferencë për media, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Mes tjerash Scholz, pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

Vizita e Scholz në Kosovë po konsiderohet si një vizitë historike, pasi që pasardhësja e tij, Angela Merkel, gjatë udhëheqjes 16 vjeçare të republikës federale të Gjermanisë, qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë, vetëm një herë.

Gjatë turit dyditor në Ballkanin Perëndimor, Scholz pas Kosovës dhe Serbisë, do të shkojë edhe në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.

Ndërsa gjatë qëndrimit në Kosovë, Scholz, pritet të takohet vetëm me të parin e ekzekutivit, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë për media.

Përveç me të dhe vizitës që do t’u bëjë trupave gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, takime të tjera në Prishtinë, deri të enjten, nuk janë parashikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore