Kosova

Kosovë: Nis vaksinimi anti-COVID në qendrat tregtare


Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga dita e enjte qytetarët mund të imunizohen kundër virusit COVID-19, edhe në qendrën tregtare “Albi Mall”.

Sipas MSH-së, qytetarët mund të vaksinohen nga ora 12:00 deri në orën 20:00, kjo në kuadër të rritjes së qytetarëve të imunizuar.

Po ashtu është bërë e ditur se procesi i vaksinimit së shpejti do të fillojë edhe në qendrat tregtare në komunat e tjera.

“Vaksinimi kundër COVID-19 me ekipe mobile. Mbaje larg virusin-Vaksinohu”, thuhet në njoftimin e MSH-së në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, kishte njoftuar se nga data 22 tetor nga ora 10:00 deri më 17, mund të bëhet vaksinimi në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë nga ekipet mobile për imunizimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ju kishte bërë thirrje qytetarëve që të “shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, si rrugën më të sigurt për parandalimin e infektimit nga COVID-19”.

Edhe në Kosovë fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç tani e tutje do të mund të marrin vaksinën kundër COVID-19.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Shëndetësisë të martën kishte bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe do të bëhet në gjitha qendrat e Kosovës.

Sipas MSH-së, ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA-s, FDA-së, CDC-së dhe në praktikat e shumë shteteve.

“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të papërfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”.

Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar një person të vdekur dhe 21 të infektuar nga COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga një mijë e 893 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 16 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 445.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë tre mijë e 639.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 839 mijë e 518 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 733 mijë e 108.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore