Lajme

Kosovë: Ngriten çmimet e derivateve, shoqata e naftëtarëve arsyetohet me çmimin në berzë


Ilustrim

Efekti i mungesës së derivateve në tregun e Mbretërisë së Bashkuar ka prekur edhe vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, që ka ndikuar në ngritje të çmimeve.

Java e parë e muajit tetor ka nisur me çmime më të larta të derivateve në Kosovë, ku kryesisht një litër naftë blihet nga 1.13 deri 1.25 euro.

Por, në Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës po thonë se çmimet nuk i kanë të larta.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me derivate më të lira në rajon.

“Sa i përket çmimit të derivateve të naftës në Kosovë, çmimet sillen Dizelli 1.13 cent deri në 1.21 cent, ndërsa Benzina 1.16 deri në 1.25. Shqipëri një litër dizelli është 1.50 euro, ndërsa benzina 1.54 euro”, ka thënë Berjani për Albanian Post, përkundër se krahasimi me Shqipërinë nuk është krejt relevant pasi në Shqipëri bashkë me derivate paguhen edhe disa taksa të tjera, të cilat në Kosovë paguhen veç.

Gjithsesi, Berjani ka dhënë edhe shembuj të tjerë si Serbia, Bosnja e Mal të Zi, ku janë çmimet më të larta të derivateve.

Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani

“Në Serbi edhe në Bosnje edhe në Mal të Zi të gjitha janë mbi 35 cent më të larta me çmim se Kosova, do të thotë qytetarët janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në rajon”.

Por, as kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, pasi, siç potencoi vetë më pas Berjani, në Maqedoninë Veriore çmimet janë më të lira, “pasi ka akcizën 22 cent më të ulët.

Megjithatë, edhe pse Kosova qëndrron mirë në raport me rajonin, ngritje të çmimit ka pasur dhe Berjani fajtore bën berzën ndërkombëtare, që sipas tij, e përcakton edhe çmimin e litrit në Kosovë.

“Çmimin e përcakton  organizata prodhuese OPEC. Tani ka prodhim të reduktuar në organizatën prodhuese OPEC dhe kur të ka reduktim të prodhimit, çmimi rritet në mënyrë automatike”.

“Kjo valë e ka kapluar të gjithë Evropën dhe botën por edhe te ne po reflekton”, ka thënë Berjani.

Çmimi i derivateve nuk është i vetmi që është rritur në Kosovë. Gjithashtu, ka pasur rritje edhe në produkte dhe të mira të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore