Lajme

Kosovë: Ndalohet një person që iku nga vendi i ngjarjes pasi e goditi me veturë një këmbësor


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën e 20 dhjetorit në Prizren, është ndaluar një i dyshuar i cili thuhet se më 16 dhjetor të këtij viti kishte goditur një këmbësor dhe më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

“Zyrtar profesional nga hetimet e njësisë së komunikacionit rrugor në Prizren, e hetuan rastin duke bërë verifikimin e automjetit dhe personit, të njëjtit e ndaluan të dyshimtin A.B i lindur në vitin 2002, e intervistuan për shkaktimin e aksidentit me lëndime të rënda dhe ikje nga vendi i ngjarjes”.

Në lidhje me rastin është informuar prokurori i Shtetit i cili urdhëroi që rasti të hetohet në procedurë të rregullt.

Në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, drejtuesi i automjetit BMË316 TI me targa vendore, “shkaktoi një aksident trafiku, ku gjatë kthimit nga një parking kishte goditur një viktimë e cila ishte duke ecur në trotuar, si pasojë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore frakturë në dorë”.

Policia e Kosoves.

Sipas njoftimit të policisë, drejtuesi i automjetit fillimisht ishte ndalur në vendin e aksidentit, por më pas duke mos i ofruar ndihmë viktimës ishte larguar nga vendi i aksidentit dhe ishte i panjohur deri në momentin që policia kishte bërë hetime në lidhje më këtë aksident.

“Viktima kishte shkuar në emergjencën rajonale në Prizren, pas tretmanit mjekësor është liruar në shtëpi”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, policia po ashtu, ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, janë arrestuar gjithsejtë 17 persona, ku 13 janë dërguar në mbajtje.

Sipas statistikave të përgjithshme, janë raportuar gjithsejtë 14 raste të aksidenteve me të lënduar dhe 31 me dëme materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore