Lajme

Kosovë: Miratohet Projektligji për Qeverinë dhe konfiskimin e pasurisë


Qeveria e Kosovës

Në mbledhjen e 52-të të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Qeverinë.

Me këtë rast Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se deri më tash ka pasur qeveri, por asnjëherë ligj për të.

“Kishim qeveri që sponsorizon projektligje, por asnjëherë s’e kishte një të tillë”, ka thënë Kurti.

“Me këtë Ligj përcaktohet përgjegjshmëria papajtueshmëria me funksionin e anëtarit të Qeverisë si dhe transparenca e punës së Qeverisë. Ky Projektligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën, i përgatitur nga Zyra e Kryeministrit me një proces hartimi që ka përfshirë hulumtime dhe konsultime të gjera, ku janë dhënë komente nga institucione të ndryshme, e nga organizata të shoqërisë civile si dhe është dhënë opinion nga Komisioni i Venecias”, u shpreh Kurti.

“Nevoja për nxjerrjen e këtij Projektligji, konsiston me mbulimin e fushës së organizimit dhe funksionimit të Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes, i vendos parimet udhëheqëse të Qeverisë si pushtet ekzekutiv, me parimin e respektimit të ligjit, përgjegjshmërisë, transparencës, barazisë gjinore si dhe nga parimi i efikasitetit”, ka shtuar ai.

Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe Projektligjin për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve.

Për Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe byroja për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas Haxhiut nëse byroja vëren se një zyrtar ka pasuri qe s’mund ta justifikojë atëherë i kërkon gjykatës konfiskimin e saj.

“Byroja do të jetë institucion i pavarur dhe do i japë llogari Kuvendit”, ka thënë ajo.

Albulena Haxhiu

Në anën tjetër, i pari i ekzekutivit Kurti ka thënë se qeveria e tij ka objektiv të qartë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 52-të ka ndarë 513 mijë euro për të paguar punën e orëve shtesë të 766 zjarrfikësve.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe Projekt Kodi Civil i Kosovës.

Me ç’rast Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i këtij Projekt Kodi Civil të Kosovës është harmonizimi i dispozitave ligjore në fushën civile, kjo pasi që në fushën civile ka ligje të ndryshme që janë në fuqi po nuk janë të harmonizuar me njëra tjetrën.

“Si Ligjit për Marrëdhëniet dhe Detyrimet kontratave dhe detyrimet e tjera nga shkaktimi i dëmeve, pasuri e pabazë, Ligji i Pronësisë, Ligjit për Familjes dhe Ligjit të Trashëgimisë”, ka deklaruar ajo.

“Projekt Kodi Civil i Kosovës ka gjithsej 1 630 nen të strukturuara në pesë libra ku hyjnë parimet e përgjithshme, detyrimet, pronësore, familja dhe trashëgimia”, ka shtuar ajo.

Qeveria e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me procesin e shpronësimit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësorë të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të KEK-ut.

Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, procesi i shpronësimit do prek fshatrat Hade, Shpitull, Sibovc e zona të tjera në Obiliq.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve buxhetore me shumë prej tre milionë eurove për zbatimin e pakos së ringjalljes ekonomike saktësisht masën 4.6 për mbështetjen e ndërmarrjeve publike.

“Mjetet sipas këtij vendimi transferohen në Ministrinë e Ekonomisë kategorinë e shpenzimeve subvencioneve dhe transfereve me nën programin njësia për politikat e de-monitorimit të ndërmarrjeve publike për subvencionim të tyre”, ka njoftuar shkurt Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore