Kosova

Kosovë: Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit


Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka vendosur që nga 10 korriku do të fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit për Zgjedhjet Lokale të parapar të mbahen me 17 tetor.

Me procedurë të re për verifikimin e aplikuesve për votim jashtë vendit, nuk do të telefonohen më të gjithë aplikuesit.

Ndryshe nga zgjedhjet e fundit, kur KQZ-ja kishte vendosur që t’i telefononte për verifikim të gjithë aplikuesit, përmes udhëzimit të ri, mënyra e verifikimit ka pësuar disa ndryshime.

Udhëzimi Administrativ i miratuar gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shfuqizuar nga KQZ-ja.

KQZ-ja do të verifikojë dy për qind (2%) të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme.

Po ashtu, do të verifikojë edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm, apo në rastet kur  një adresë elektronike përdorët në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm.

Pra, të gjitha këto KQZ-ja do t’i verifikojë përmes thirrjeve telefonike.

“Nëse aplikuesi nuk e hap telefonin në thirrjen e parë, do të bëhen edhe dy tentime të tjera në periudha të ndryshme kohore brenda periudhës së aplikimit për regjistrim”, ka njoftuar KQZ-ja.

Në bazë të këtij udhëzimi do të denoncohen rastet e keqpërdorimeve në Prokurorinë e Shtetit.

“Një aktivitet me rëndësi është operacioni i votimit përmes postës që do të filloj nga data 10 korrik, pra periudha e regjistrimit si votues jashtë vendit”, tha kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Ndërsa sa i përket zgjedhjeve për të parin e Partisë Demokratike të Kosovës, drejtori i zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, dhe Certifikim, Ylli Buleshkaj ka theksuar se e ka vëzhguar Konventën e 3 korrikut të PDK-së dhe nuk kanë has në ndonjë parregullsi.

“Vlen të përendet se kemi vëzhguar Konventën e zgjedhjes së kryetarit të PDK-së dhe nuk kemi vërejt diçka në kundërshtim me ligjin që e rregullon këtë fushë. Nuk kemi pasur asnjë subjekt që nuk do të marr pjesë në këto zgjedhje dhe kemi vetëm një koalicion parazgjedhor”.

Ndërsa, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, ka thënë se nuk është e nevojshme të bëhet verifikimi në të gjitha kategoritë.

“Verifikimi nuk është i nevojshëm të bëhet te të gjitha rastet por vetëm tek disa kategori si të dyshimta. Do të zgjidhet rastësisht vetëm 2 për qind për verifikim andaj kërkojmë shfuqizimin e Vendimit për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim për periudhën e Aplikimi për Regjistrim të votuesve jashtë vendit”, shtoi Dushi.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi, ka kërkuar futjen e një neni që lejon aplikim online jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore