Lajme

Kosovë: Mbi 700 pacientë duke u trajtuar në QKUK


Në spitalet e përgjithshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar 734 pacientë me COVID-19.

“Sipas raportit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, 611 raste janë të konfirmuara me Sars-COV-2, 36 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 590 janë nën asistim të oksigjeno-terapisë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Duke u bazuar në këtë raport, në QKUK janë të shtrirë 303 pacientë, ku 244 raste janë të konfirmuara me COVID-19, 15 persona janë në gjendje të rënduar dhe 261 me oksigjeno-terapi.

Në bazë të statistikave të këtij raporti, klinika më e frekuentuar me pacientë të infektuar me Coronavirus është klinika infektive, me gjithsejtë 110 pacientë, kurse në radhë të dytë renditet klinika e Pulmologjisë me gjithsejtë 83 pacientë të infektuar.

“Numri i pacientëve të shtirë, sipas klinikave: klinika infektive, 110 pacientë, klinika infektive II (mjekësia sportive), 66 pacientë, klinika infektive III (interno), 24 pacientë, klinika e pulmologjisë, 83 pacientë, klinika e gjinekologjisë, një paciente, mjekimi intensiv-COVID-19, 16 pacientë, + 3 pacientë në njësinë intensive të Klinikës Infektive, pacientë dhe klinika e pediatrisë me tre pacientë”, njofton SHSKUK.

Ndërkaq në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 431 pacientë, ku 367 raste janë të konfirmuara pozitivë, 21 raste janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 329 raste me oksigjeno-terapi.

Ndërkohë spitali i komunës së Pejës spitali më i ngarkuar me pacientë të infektuar me COVID-19, ku gjithsejtë 96 pacientë të shtrirë, duke lënë pas spitalin e Gjilanit me 81 persona të shtrirë.

“Numri i pacientëve të shtrirë, sipas spitaleve të përgjithshme, spitali i Prizrenit me gjithsejtë 57 pacientë, spitali i Gjakovës me 77 pacientë, spitali i Pejës me 96 pacientë, spitali i Gjilanit me 81 pacientë, spitali i Ferizajt me 59 pacientë, spitali i Mitrovicës me 45 pacientë dhe spitali i Vushtrrisë me 16 pacientë”.

Ndërkaq SHSKUK, po ashtu, ka njoftuar se të mërkurën në QKUK janë kryer pesë operacione kardiokirurgjike te fëmijët me defekte në zemër.

“Janë kryer 5 operacionet e para tek fëmijët me defekte në zemër, në Klinikën e Kardiokirurgjisë, po ashtu janë kryer 10 stentime, zgjerim i enëve të gjakut tek fëmijët, në kuadër të Kardiologjisë Invazive”, thuhet në njoftim.

Këto shërbimet janë kryer në mbështetje të misionit të shoqatës ndërkombëtare “Gift of Life” për trajtimin karidokirurgjik të fëmijëve kosovar.

Të gjitha intervenimet janë kryer në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me stafin shëndetësorë të klinikave të QKUK-së.

Tutje në njoftim thuhet se ky ekip mjekësor i cili do të qëndrojë në Kosovë deri në fundjavë, përbëhet nga kardiokirurgët, Françesko Santoro dhe Ribiera Santoro, nga kardiologët, Herbet Stern dhe Roberto Tumbarello.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore