Lajme

Kosovë: Mbërrijnë mërgimtarët që i mbijetuan aksidentit në Kroaci


Ardhja e mërgimtarëve që i mbijetuan aksidentit në Kroaci

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ‘’Adem Jashari’’, kanë mbërritur mërgimtarët që i mbijetuan aksidentit tragjik të 25 korrikut në Kroaci, ku një autobus u përmbys në rrugë e si pasojë mbetën të vrarë 10 persona dhe të plagosur dhjetëra të tjerë.

Dy ditë pas tragjedisë së rëndë, një pjesë e këtyre udhëtarëve tashmë kanë arritur në Kosovë ku janë duke u pritur në aeroport nga familjarët.

Një pjesë e tyre është marrë me autoambulancë, ndërsa ruajtësit e rendit para aeroportit po i thërrasin me listë personat që i kanë familjarët e lënduar nga aksidenti. Disa janë futur me vetura për t’i marrë familjarët e tyre.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë dalë për t’i pritur në të mbijetuarit nga aksidenti në Kroaci.

Prijësit e institucioneve

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është shprehur se institucionet e vendit do të jenë pranë familjarëve të viktimave, për t’i përballuar momentet e vështira.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dhimbjen e ndajnë së bashku me tërë popullin.

“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, u ka thënë bashkatdhetarëve kryeministri Kurti.

Presidentja Osmani tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë”.

“Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”.

Po ashtu, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se kanë arritur 21 qytetarë, kurse pritet që të vijnë edhe trupat e atyre që kanë vdekur.

“Edhe trupat e atyre që kanë vdekur janë duke ardhur në Kosovë, në mëngjes do të mbërrijnë këtu dhe do të organizojmë ceromoninë e varrimit”.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka potencuar se në autobus kanë qenë 67 bashkëatdhetarë, dy shofer, dhe dhjetë kanë vdekur.

“Nga të liruarit katër kanë vendosur që të shkojnë në Gjermani për trajtim, gjashtë pritet të lirohen në ditët në vazhdim dhe nëntë do të vazhdojnë trajtimin deri në rehabilitimin e tyre”.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa vetëm njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndryshe, në të gjitha institucionet, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë në nderim të 10 personave të vdekur dhe dhjetëra të tjerëve të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore