Lajme

Kosovë: Luksemburgu financon projektin kundër ajrit të ndotur në vlerë afro 1 milion euro


Diskutim lidhur me implementimin e projektit “Kosovë e Shëndetshme 2”

Duka e Madhe e Luksemburgut do të financoj projektin “Kosovë e Shëndetshme 2” në vlerë prej 930 mijë euro.

Ky projekt do të lansohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Vullnetarët e OKB-së (UNV).

Projekti ka për fokus ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut dhe promovimin e një shoqërie që i bën ballë kërcënimeve mjedisore dhe si i tillë do të zgjasë për dy vite rresht.

Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson në takimin e akterve financues dhe implementues të projektit ka theksuar se është një urgjencë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) që mjedisi të bëhet një prioritet ndër-sektorial.

“Ne jemi krenarë që sot, mu në kohë të duhur, lansojmë fazën e dytë të projektit Kosova e Shëndetshme”.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko ka deklaruar se në Kosovë përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe rrjedhimisht shëndetit të njerëzve, është i një rëndësie ë veçantë.

“Duke mos u kujdesur për mjedisin që na rrethon, ne nuk kujdesemi për veten”, është shprehur ajo.

Ndotja e ajrit-Prishtinë

Kurse në emër të financuesit të projektit ka folur e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomez.

Ajo ka vlerësuar se puna e përbashkët e agjencive të OKB-së ka një potencial të madh për të krijuar ndikim dhe se do të jenë partner edhe në angazhimin e komunitetit për mbrojtjen e shëndetit.

“Zbatimin e përbashkët të projektit nga agjencitë e OKB-së, Luksemburku e sheh si një forcë thelbësore të projektit. Duke punuar me UNDP-në, me ekspertizë në mjedis, OBSH-në, që është organizata udhëheqëse globale shëndetësore dhe UNV-të, për të angazhuar komunitetin, ne jemi në një partneritet të fortë me potencial të madh për të krijuar ndikim”, është shprehur ajo.

Ndërsa nga institucionet e Kosovës, përkatësisht ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku në takim ka shprehur përkushtimin e saj për mbështetjen e projektit duke shtuar se janë nisma që duhet të vazhdohen edhe në të ardhmen.

Tryeza diskutuese “per projektin Kosovë e Shëndetshme 2”

“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të sigurojë një partneritet të fortë gjatë gjithë zbatimit të projektit, si dhe nismave të ngjashme në të ardhmen, dhe do të ketë përkushtim të plotë në procesin e ngritjes së kapaciteteve, koordinim, dhe zbatimin e përbashkët të Kosovë e Shëndetshme”, ka deklaruar Gexha-Bunjaku.

Ky projekt me emirin “Kosovë e Shëndetshme 2” vjen pas projektit “Kosovë e Shëndetshme 2018-2020”, ku është vlerësuar si projekt i suksesshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore