Lajme

Kosovë: Ligji i pagave për infermierët do të miratohet në fillim të vitit 2022


Ilustrim.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, ka marrë premtimin nga ana e Komisionit për Shëndetësi se Ligji i pagave do të shkojë në Kuvend në fillim të vitit 2022.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Shoqatës së Infermierëve, Përparim Berisha.

“Diskutuam për mundësinë e prurjes së Ligjit të pagave në Kuvend, ata na garantuan që Ligji i pagave do të fillojë të vijë në Kuvend në fillim të vitit të ardhshëm dhe gjithashtu do të fillojë edhe implementimi i tij gjatë vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Berisha për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Ndërkaq, shtoi se, “na garantuan që koeficientët diskriminues të cilët i rrëzoi Gjykata Kushtetuese nuk do të jenë ata, po do të jenë sigurisht më të lartë ashtu siç kemi kërkuar ne”.

Nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve, Enlirat Duraku, u shpreh se nëse nuk do të mbahet premtimi për ndryshim të koeficientit për infermierët atëherë do të ndërmarrin veprime sindikale.

Infermierët në Kosovë.

“Ne si Sindikatë nuk e kemi mbështetur asnjëherë protestën, as grevën e organizatave të tjera, të cilat për qëllim e kanë pasur vetëm presionin për ta buxhetuar ligjin aktual”.

Duraku, bëri të ditur se për momentin nuk do ndërmarrin ndonjë masë apo veprim sindikal.

“Në qoftë se ndodh e kundërta apo pranohet, nënshtrohen institucionet ndaj presionit të organizatave të tjera që të kalojë ky ligj me këtë koeficient ofendues për neve atëherë që në Këshillin Drejtues dhe në Kryesi do të dakordohemi për masat dhe veprimet sindikale, që ju sigurojmë që nuk do t’i kursejmë”, tha ai.

Më 25 nëntor, turni i parë i punës, i gjeti punëtorët e shëndetësisë në grevë urie.

Përmes një komunikate për medie sindikatat kanë kërkuar që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me Sindikatat dhe faktorë të tjerë. Ata kanë kërkuar që ky projektligj të adresohet sa më shpejt n parlament dhe i njëjti të fillojë së implementuari nga viti 2022.

“FSSHK-së paralajmëron se Grevat dhe veprimet të tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe instancat tjera relevante nuk reflektojnë”, thuhej në komunikatë.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka shprehur shqetësim për gjendjen e pacientëve pas fillimit të grevës nga stafi shëndetësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore