Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: KQZ kërkon nga Qeveria pezullimin e orës policore për 16 dhe 17 tetor


Policia e Kosovës duke zbatuar orën policore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës pezullimin e kufizimit të lëvizjes për ditën e shtunë dhe të diel, një ditë para procesit zgjedhor dhe ditën e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se kërkesa për heqjen e orës policore për 48 orë, për 16 dhe 17 tetor, është kërkuar edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së, kërkesë kjo e cila presin që t’u miratohet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjes së procesit zgjedhor dhe me qëllim të kryerjes së detyrave gjatë procesit të votimit, do të jenë të angazhuar rreth 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimit si dhe rreth 25 mijë vëzhgues do të jenë prezentë në vendvotime për të parë nga afër procesin e votimit”.

“Prandaj për të mundësuar kryerjen e detyrave zyrtare dhe duke qenë të vetëdijshëm për masat kufizuese, që përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit, KQZ-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës më datë 16 dhe 17 tetor”.

“Gjatë mbledhjes së fundit që është mbajtur në KQZ, në mënyrë unanime anëtarët e KQZ-së kanë shprehur besimin se pezullimi i kufizimit të lëvizjes gjatë kësaj fundjave do t’i shërbente krijimit të një atmosfere pozitive për qytetarët e Kosovës”, tha Elezi.

Më tej Elezi ka thënë se duke pasur parasysh që janë mijëra persona të angazhuar në këtë proces zgjedhor, largimi i orës policore do ta ndihmonte shumë këtë proces, pasi sipas tij, trupat zgjedhore mund të mbesin edhe pas orës 22:00 në vendvotime.

“Sigurisht duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me mijëra persona që do të angazhohen dhe kanë rol aktiv në proces zgjedhor, e që pjesa më e madhe e tyre mund të jenë në vendvotime për të parë procesin e numërimit të fletëvotimeve që mund të shkojë përtej kohës kur fillon kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, atëherë besojmë që kjo do t’i ndihmonte KQZ-së dhe trupave zgjedhore që ta kryejnë detyrën e tyre zyrtare”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror Zgjedhor në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore