Lajme

Kosovë: Katër mijë studentë do të pranohen në Qendrën e Studentëve për vitin akademik 2021-22


Qendra e Studentëve

Rreth katër mijë studentë do të vendosen në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për vitin akademik 2021-2022.

Por, studentët të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj qendre duhet t’i plotësojnë disa kritere që i parasheh QSK-ja.

“Kriter kryesor për pranim në konvikte dhe mensë në Qendrën e Studentëve, është se studenti duhet të jetë i rregullt në studimet themelore në Universitetin e Prishtinës, komuna e të cilëve është 25 km e më larg nga Prishtina dhe nota mesatare e studimeve”, thuhet në përgjigjen për Albanian Post nga zyra për informim e Qendrës së Studentëve.

Nga kjo qendër janë zotuar se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Qendra e Studentëve ka marr të gjitha masat në bazë të rekomandimeve nga IKSHPK-ja dhe këtë vit do të punojë më kapacitet të plotë. Kemi bërë gjitha përgatitjet e nevojshme për organizmin e jetës studentore në Qendrën e Studentëve duke përgatitur një Udhëzues për sjelljen e studentëve dhe personelit konform rekomandimeve të MSH-IKSHPK-së”, është bërë e ditur nga Qendra e Studentëve.

Qendra e Studentëve në Prishtinë

Konkursi për pranimin e studentëve në konvikte ka qenë i hapur nga data 13 deri më 19 shtator dhe kanë aplikuar 5 mijë studentë.

Ndërsa, studentët kanë të kohë për ankesa dy ditë pas publikimit të rezultateve që të ankohen, e që ankesat do të shqyrtohen nga Komisioni.

Kurse, 7 mijë e 741 maturantë kanë aplikuar në formën online për afatin e parë të studimeve për nivelin baçelor në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.

“Për shkak që regjistrimi i studentëve të rinj për këtë vit akademik është ende në proces, shifrat zyrtare të studentëve të regjistruar janë në përpunim e sipër dhe do të finalizohen pas përfundimit të tërë procesit, kanë thënë nga Universiteti i Prishtinës”, “Hasan Prishtina”.

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”

Interesim më i madh i maturantëve për t’u bërë pjesë e Universitetit Publik është në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik.

“Programet studimore me numrin më të madh të aplikimeve, në afati e parë të konkursit janë: programet në Fakultetin e Mjekësisë, në veçanti programi Mjekësi e Përgjithshme, ku raporti i aplikimeve me vendet e lira në konkurs është 6:1 dhe programi i Edukimit Fillor në Fakultetin e Edukimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim për Albanian Post nga Universiteti i Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore