Kosova

Studimet në Universitetet e Kosovës, interesim i madh për Fakultetin e Mjekësisë


Ilustrim

7 mijë e 741 maturantë kanë aplikuar në formën online për afatin e parë të studimeve për nivelin baçelor në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.

“Për shkak që regjistrimi i studentëve të rinj për këtë vit akademik është ende në proces, shifrat zyrtare të studentëve të regjistruar janë në përpunim e sipër dhe do të finalizohen pas përfundimit të tërë procesit, kanë thënë nga Universiteti i Prishtinës”, “Hasan Prishtina”.

Interesim më i madh i maturantëve për t’u bërë pjesë e Universitetit Publik është në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik.

“Programet studimore me numrin më të madh të aplikimeve, në afati e parë të konkursit janë: programet në Fakultetin e Mjekësisë, në veçanti programi Mjekësi e Përgjithshme, ku raporti i aplikimeve me vendet e lira në konkurs është 6:1 dhe programi i Edukimit Fillor në Fakultetin e Edukimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim për Albanian Post nga Universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Edhe, Fakulteti i Filologjisë ka një interesim të madh për pranimin e studentëve të rinj.

“Programi i Psikologjisë në Fakultetin Filozofik; në Fakultetin e Filologjisë numri më i madh i aplikimeve ka qenë në programet Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe Gjuhë dhe Letërsi Gjermane, programi i studimeve të Arkitekturës në po këtë Fakultet, si dhe Shkencat Kompjuterike dhe Softuerike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike”, thuhet në përgjigjen nga UP.

Nga ana tjetër, në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan kanë aplikuar vetëm 634 maturantë, thuhet në përgjigjen e Universitetit “Kadri Zeka” për Albanian Post.

Kjo nënkupton se ende nuk është përmbush numri prej 725 maturantëve në afatin e parë.

“Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ në Gjilan, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2021/2022, ka paraparë të regjistrojë 725 studentë të rregullt në studime baçelor”,

Për të përmbushur numrin e studentëve ky universitet sërish ka hapur konkurs plotësues për kuotat e mbetura.

Universiteti “Kadri Zeka”, Gjilan

Ndërsa interesim më i madh nga maturantët për regjistrim në Universitetin “Kadri Zeka”, është në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.

“Programet studimore të cilat ka interesim më të madh të maturantëve është Fakulteti i Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike”.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me gjashtë gusht kishte hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2021-2022.

Mirëpo, edhe Universiteti “Kadri Zeka”, në Gjilan po në të njëjtën ditë e kishte hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj.

Ndërsa, Agjencia e  Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), kanë publikuar “Statistikat e Arsimit, 2020/2021”.

Sipas të dhënave të ASK-së numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 95 mijë e 335, prej tyre në universitetet publike ishin 54 mijë e 753 studentë, ose shprehur në përqindje, 57.4%, ndërsa në kolegjet private ishin 40 mijë e 582 studentë, ose 42.6%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore