Lajme

Kosovë: Jep dorëheqje ministrja e financave


Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministres së Financave në detyrë.

Përmes një postimi në rrjetin Facebook, Bajrami ka njoftuar lirimin nga pozita që nga 24 shkurti, duke thënë se do ta vazhdojë aktivitetin e saj politik si deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në një prononcim për Albanian Post, Bajrami tregon se shkaqet pas dorëheqjes janë “krejtësisht personale dhe se i gjithë sqarimi i nevojshëm është përmbledhur në statusin në Facebook”.

Në postimin e bërë, tashmë ish-ministrja falënderon kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti dhe kryetarin Isa Mustafa për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e përhershme gjatë periudhës që këta punuan së bashku.

Duke përmendur sfidat e kaluara në përpjekje për t’u përballur me pasojat e pandemisë, potencon se si “rezultat i angazhimeve të tyre të përbashkëta”, sukseset janë evidente.

Bajrami cilëson se kanë pasur një qeverisje profesionale dhe transparente, gjë që ka rezultuar në të qenit partnerë kredibilë me institucionet ndërkombëtare.

Këtë njoftim e ka përfunduar duke falënderuar përzemërsisht “Kryeministrin, kabinetin qeveritar, kabinetin tim në MF si dhe stafin e Ministrisë së Financave”, si dhe duke iu uruar suksese nё punën dhe angazhimet e mëtejme.

Bajrami ka dalur gruaja më e votuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Ajo aktivitetin politik njofton se do ta vazhdojë si deputetet e LDK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore