Lajme

Kosovë: Inspektorët e rinj të AUV-it nisin punën me pesë gjoba


Ilustrim

Mbikëqyrja e masave anti-COVID në Kosovë tashmë ka filluar të kontrollohet me plus 85 inspektorë sanitarë, përzgjedhja e të cilëve është bërë nga Ministria e Shëndetësisë. Vetëm në ditën e parë të punës së tyre, kanë shqiptuar gjithsejtë pesë gjoba.

Për Albanian Post, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Flamur Kadriu, ka thënë se në të martën e 31 gushtit janë bërë gjithsejtë 583 inspektime.

“Gjatë ditës së djeshme pas inspektimeve të vona kanë qenë 583 kontrolle gjatë tërë ditës në tërë Kosovën. Nga këto kontrolle janë shqiptuar dy gjoba prej inspektorëve sanitar, për personat fizik kurse tri gjoba për persona juridik”, ka thënë ai.

Sa i përket zbatimit të masave të reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, e që kanë hyrë në fuqi të hënën e 30 gushtit, Kadriu ka theksuar se përkundër numrit të rritjes së numrave të të infektuarve nga COVID-19, masat e reja po respektohen nga qytetarët.

“Nga koordinatorët që i udhëheqin inspekcionet ka informatë që mbrëmë situata ka qenë relativisht e qetë, nuk ka pasur probleme në përgjithësi masat kanë qenë jashtëzakonisht duke u zbatuar mirë prandaj është edhe numri i vogël i gjobave”, shtoi ai.

Po ashtu, Kadriu ka thënë se pritet vetëdijesim më i madh i qytetarëve për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë Coronavirus, mirëpo ditët e fundjavës i sheh më të vështira për tu respektuar këto masa.

“Besojmë që gjatë ditëve në vijim që të përmisohet edhe më shumë situata, po i presim raportet e përditshme Problem do të jenë ditët e vikendit kur njerëzit dëshirojnë ta kalojnë kohën në kafiteri e gastronomi mirëpo besojmë që edhe vetëdijesimi i tyre do të jetë më i madh”, potencoi Kadriu.

AUV, që kishte mbi 10 inspektorë aktiv, i janë shtuar edhe 85 inspektorë të tjerë në mënyrë që të jenë të angazhuar për mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID 19.

“Ata kanë filluar punën që nga dita e martë, janë njoftuar me detyrat që duhet ti kryejnë, shtrirja e kontrollit do të bëhet në gjithë territorin e vendit. Ne i kemi pasur 11 inspektorë aktivë në tërë territorin e Kosovës, me shtimin e këtyre 85 është lehtësuar jashtëzakonisht puna. Ndahen terrenet se ku nga sa veta do të shkojnë, varësisht nga numri i bizneseve caktohen më shumë, e në komuna më të vogla më pak”, ka shtuar tutje Kadriu.

Derisa inspektorët e rinj kanë shqiptuar vetëm pesë gjoba, në anën tjetër Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm gjatë të hënës kanë shqiptuar tre mijë e 981 tiketa në bazë të Ligjit për pandeminë COVID-19.

Pas përkeqësimit të gjendjes me COVID-19, Qeveria e Kosovës mori vendim që nga 31 gushti e deri më 13 shtator të kufizohet qarkullimi i lëvizjes, nga ora 22:00 e deri në 5:00.

Mbajtja e maskës është bërë obligative për qytetarët edhe kur ecin vetëm në rrugë.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 për qind e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.

Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore