Lajme

Kosovë: Gastronomët paralajmërojnë Qeverinë se mund të shkaktoj krizë ekonomike


Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës, se mund të shkaktojë krizë ekonomike, pasi nuk po i respekton kërkesat e tyre.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i shoqatës së gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka thënë se Qeveria do ta korrë atë që mbolli.

“Nejse, nuk ka mbetur edhe gjatë siç duket, që gastronomia të shuhet si fushë ekonomike dhe atëherë hiperinflacioni ekonomik do të jetë problem më i madh, sesa vet virusi, ndaj te cilit asnjëherë nuk fituat!”, shprehet Kllokoqi.

Kryetari i shoqatës së gastronomëve, Petrit Kllokoqi

Po ashtu, ai shprehet se pa fije turpi Qeveria Kurti i shfrytëzon shërbimet e gastronomeve.

“Nuk e di se si atyre u shijon kafeja që shërbehet nga një kamerier, i cili tash e sa kohë e merr rrogën me zbritje! Ishim ne, Shoqata e Gastronomëve, ata që ndihmuam me fushatat tona, në vaksinimin rekord dhe pas gjithë kësaj, si na falënderoni JU?!”

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Po ashtu, ai thotë se për asnjë moment të vetëm nuk janë përkrahur, përkundrazi i kanë poshtëruar, dënuar, pa mbarim.

“Në çdo vend të botës, vaksinimi nënkupton funksionim të lirë të jetës, përveç në Kosovë, ku vaksinimi nuk nënkupton ASGJË, ama bash ASGJË!”, përfundon Kllokoqi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore