Film

Kosovë: Filmi “Pa vend” në Kanë – ndër premierat më të rëndësishme


Një ndër premierat më të rëndësishme të filmit kosovar është  ajo me titull “Pa vend”, e regjisorit dhe kinematografistit, Samir Karahoda.

Këtë e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), përmes një shkrimi në mediat sociale.

Ky film u shfaq në kuadër të kategorisë kryesore të filmave të shkurtër dhe gjithashtu garon për Palmën e Artë.

Filmi “Pa vend” është i zhanrit docu-fiction. Ai përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati, të cilët kërkojnë të mbajnë sportin e ping-pongut gjallë, duke zhvilluar gjenerata të reja të ping-pongistëve.

Ky ekip është i formuar nga disa persona. Produksent i këtij filmi është, Eroll Bilibani dhe montazher, Enis Saraçi.

Ndërsa ekipi i dizajnerëve dhe xhiruesve janë Memli Kelmendi dhe Gëzim Rama, me protagonistët kryesor Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati.

Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest.  Shpërndarja bëhet nga Radiator IP Sales, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Në premierë të filmit në Kanë ka marr pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tij.

Ai thuhet se ka udhëtuar për në Kanë, për t’i mbështetur dy filmat e parë të prodhuar nga Kosova, edhe pse në bashkëprodhim.

Në festivalin me famë ndërkombëtare përveç filmit “Pa vend”, do të jetë i pranishëm me premierën e tij edhe filmi “Luaneshat e Kodrës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore