Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Fillon publikimi i formularëve të rezultateve të zgjedhjeve


Qendra e numërimit dhe rezultateve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), të mërkurën e 20 tetorit ka filluar të publikojë formularët e rezultateve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe kuvendeve komunale.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka theksuar se publikimi i formularëve bëhet me qëllim që të rritet transparenca e procesit zgjedhor.

“Ky publikim bëhet me qëllim të rritjes së transparencës për procesin zgjedhor dhe nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.

Ndërsa, ka sqaruar se ky publikim është në proces dhe deri tani janë publikuar formularët e rezultateve nga disa komuna, e që po ashtu do të vazhdohet me publikimin sapo të jenë të gatshëm.

Elezi, theksoi se këto formularë nuk janë shpallje e rezultatit përfundimtar.

Ai bëri të ditur se formularët skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si dhe pastaj ngarkohen në faqen zyrtare të KQZ-së.

Qendra e numërimit dhe rezultateve.

“Formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve, nga të dy llojet e zgjedhjeve, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqe të KQZ-së”.

Në këtë mënyrë të gjithë kandidatët e interesuar kanë qasje për të parë rezultatin në secilin vendvotim.

“Këta formularë janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin e tij që ka arritur në secilin vendvotim”, tha ai.

Formularët mund t’i gjeni duke klikuar në këtë LINK.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Numërimi i votave pritet të përfundojë gjatë kësaj javë, ndërkaq që KQZ-së i duhen edhe disa ditë të tjera për të shpallur rezultatet si dhe për të certifikuar zgjedhjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore