Lajme

Kosovë: Digjen dhe sulmohen Qendrat Komunale në Zubin Potok dhe Zveçan


Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Të shtunën, më 25 shtator, në Kosovë kanë ndodhur dy sulme në komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Sipas, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti djegëja e këtyre qendrave ishte e qëllimshme.

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Po ashtu, policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur mjete shpërthyese në Qendrën e regjistrimit në Zveçan, ndërsa ekipi i deminimit i ka asgjësuar në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

“Në vend ngjarje ka dal njësiti patrullues nga (SP) Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku konstatuan se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës, ku brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur. Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, patrullat e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje e po ashtu edhe zjarrfikësit nga Zubin Potoku.

“Sipas informacioneve të para, supozohet se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës”, bën të ditur policia e Kosovës në raportin e saj.

Ndërsa tutje, sqaron se zjarri është lokalizuar në orët e para të ditës së sotme gjersa është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe hetimet po vazhdojnë.

“Zjarri u lokalizua rreth orës 02:00, dhe të gjitha njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës ishin të pranishme në vend, si dhe Njësia Rajonale e Hetimit – Mitrovicë – Veri. Ne vend ngjarje doli Inspektori i Zjarrit (PPZ), per gjithçka që ndodhi  u njoftua edhe Prokurori kujdestar. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”.

Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”.

Ai shtoi se “Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdojë me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Po ashtu, mediat lokale në gjuhën serbe në Veri, kanë raportuar se zjarri përfshiu dy zyra në ndërtesën e komunës në të cilat, në kohën e zjarrit, nuk kishte asnjë njeri.

Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Një video gjithashtu është shpërndarë nga një faqe Zubin Potok INFO, ku mund të shihet tym në derën e përparme të ndërtesës.

Në orët e pasdites së të premtes së 24 shtatorit, tre helikopterë të ushtrisë serbe janë futur në Kosovë.

Sipas burimeve të Albanian Post, fluturimi i tyre ka ndodhur mbi zonën kufitare, duke u futur në territorin e Kosovës dhe duke provokuar Policinë e Kosovës, të cilët janë pranë barrikadës të protestuesve serbëve në Jarinje dhe Bërnjak.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

Që nga orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore