Lajme

Kosovë: 600 specializantë protestojnë të hënën – kërkojnë paga të rregullta


Specializantët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

600 specializantë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që filluan punën vitin e kaluar nuk kanë marrë paga të rregullta.

Për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë çështje, ata kanë vendosur të protestojnë të hënën para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata po kërkojnë që të paguhen për periudhën e pandemisë me paga shtesë, si dhe kujdestaritë për specializantët me subvencione dhe të paguhen me paga të rregullta.

Në njoftimin kësaj organizate thuhet se “Protesta bëhet me qëllim të takimit me ministrin i cili që dy muaj nuk ka kthyer përgjigje për kërkesat tona zyrtare dhe injorancës që po tregon ndaj nesh”.

Sipas specializantëve “në tetor askush nuk garanton se do të vazhdohen subvencionet”.

“I kemi këto dy javë vendimtare dhe presioni nuk duhet të ndalët, sepse askush nuk garanton që në tetor do na vazhdohen subvencionet”, thuhet në njoftimin e OSK-së.

“Askush garantohet, që në vitin tjetër mundemi me dalë në paga të rregullta, e atëherë do të mbesim askund. Është momenti tash që të mobilizohemi, të gjithë, pa dallime, për të drejtat tona, për mos diskriminim, për barazi, për pagesë të mundit tonë që e bëjmë”.

Ata kanë theksuar se janë me vetëfinancim dhe nuk marrin shtesa për COVID-19 si kolegët e tyre me paga të rregullta.

Specializantët deri tani kanë marrë paga nëpërmjet Fondit për Subvencione i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ishte ndarë nga ish-ministri, Armend Zemaj, në shkurt të këtij viti për t’i mbështetur specializantët e rinj.

“Po subvencionohen gjatë shkollimit të tyre specialistik, me qëllim që të njëjtit ta përballojnë më lehtë krejt procesin e specializimit, deri në përfundim të programit”, kishte thënë Zemaj.

Por, ministri i tanishëm Shëndetësisë, Arben Vitia, për këtë proces kishte kritikuar Zemajn duke thënë se “120 specializantë të pranuar, nuk dihet se nga ku kanë ardhur. Janë 12 specializantë për një mentor klinik”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore