Lajme

Kosovë: 27 shkolla në mësim online për shkak të COVID-19


Ilustrim

Me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19, disa shkolla në Kosovë kanë kaluar në mësim online.

Kështu nga 780 shkolla sa ka Kosova, 27 prej tyre po vijojnë mësimin në platformën online.

Këtë e ka bërë të ditur, Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, i cili ka potencuar se vendimet për të kaluar në mësim online i marrin Task-forcat e shkollave, varësisht nga gjendja që paraqitet.

Pupovci ka hedhur poshtë edhe aludimet se në disa shkolla po kërkohen testet COVID-19.

Dukagjin Pupovci

“Ne mendojmë se shkollat duhet të mbyllen të fundit dhe kjo është arsyeja që u është lënë shkollave të vendosin vet. Asnjë shkollë nuk është se e nxisim të punojë me prezencë fizike nëse nuk i ka kushtet për të punuar me prezencë fizike”, ka thënë Pupovci për Kosova Press.

“Nuk ekziston ndonjë rregull që u kërkon nxënësve të bëjnë teste çdo ditë, nuk ka askund në botë diçka të tillë prandaj nuk ka as në Kosovë dhe nëse në një të ardhme vlerësohet se rreziku për shëndetin publik është i tillë që shkollat duhet të mbyllen ose të shkojnë online atëherë me siguri do të veprohet ashtu, por për momentin një veprim i tillë nuk ekziston”, ka vazhduar ai.

Ndryshe me masat e reja të Qeverisë së Kosovës të cilat janë marrë ditë më parë për ta luftuar pandeminë COVID-19, nuk është paraparë mbyllja e shkollave, qoftë ai paraunivesitar ose ai universitar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore