Lajme

Kosovë: 12 deputetë humbën mandatet, të mërkurën mblidhet KQZ për zëvendësimin e tyre


Nëntë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe tre të tjerë nga komunitetet jo shumicë, kanë humbur mandatet e tyre si deputet të kuvendit të Kosovës për shkak të marrjes së posteve ekzekutive në Qeverinë e re.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit, Glauk Konjufca, ka dorëzuar kërkesën për zëvendësimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se me 24 mars, KQZ-ja pritet të mblidhet për të bërë rekomandimin e kandidatëve për zëvendësim në Kuvend.

“KQZ ka pranuar kërkesën nga u.d. së presidentit për të bërë rekomandimin e kandidatëve të radhës për të zëvendësuar deputetët e deritanishëm, që kanë marrë funksione në ekzekutivin e vendit. Gjatë ditës së nesërme KQZ do të mblidhet për të bërë rekomandimet përkatëse për secilin prej këtyre kandidatë”, tha ai.

Këtë humbje të 12 deputetëve e ka konfirmuar edhe Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili ka thënë se në momentin që këta kandidatë kanë marrë detyra të reja edhe mandatet e tyre ndërpriten.

“Me votimin e të Qeverisë ‘Kurti 2’, janë plot 12 anëtarë të kabinetit ekzekutiv që tashmë kanë humbur mandatin e deputetit. Për zëvendësimin e tyre, Kryetari i Kuvendit do t’i bëjë praktikisht kërkesë vetes si u.d. i Presidentit, që të mbushë ulëset e mbetura të zbrazëta”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Tutje ai ka sqaruar se KQZ-ja duhet të rekomandojë emrat e kandidatëve në radhë me numrin më të madh të votave.

“KQZ-ja ka afat pesë ditë, që nga pranimi i kërkesës, për të kthyer përgjigje me emrat e ligjshëm të kandidatëve në radhë – të cilët duhet që në seancën e radhës të Kuvendit të japin betimin e tyre”, shtoi ai.

Deputetët që kanë humbur mandatet si pasojë e marrjes së detyrave ekzekutive janë, Donika Gërvalla-Schwarz, Arben Vitia, Hekuran Murati, Faton Peci, Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hajrulla Çeku, Rozeta Hajdari, Xhelal Sveçla, Fikrim Damka, Elbert Krasnqi dhe Emilja Rexhepi.

Këta deputetë pritet të zëvendësohen nga Shqipe Isufi, Enver Haliti, Mirsad Shkreta, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Yllza Hoti, Jahja Kokaj, Hydajet Hyseni, të cilët janë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa nga Lista Vjosa është Gresa Bytyqi, nga komunitetet jo shumicë janë Enis Kervan nga Partia Turke, Fridon Lala nga partia egjiptiane dhe Samra Ilijazi nga ajo boshnjake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore