Lajme

“Kosova sot e kësaj dite vend paqësor e demokratik” – intervista ekskluzive e Amanpour me Clinton, Blair e Ahern ku Kosova përmendet si rast suksesi


Bill Clinton, Tony Blair, Bertie Ahern gjate intervistes ne CNN

Në një bashkim që rrallë ndodhë dhe ndodhë atëherë kur në pyetje është ndonjë gazetare e kalibrit si Christiane Amanpour, shefe e CNN për programin ndërkombëtar, Bill Clinton, Tony Blair e Bertie Ahern, janë ritakuar 25 vjet pasi kishin arritur nënshkrimin e marrëveshjes së paqes për Irlandën Veriore.

E njohur tashmë si Marrëveshja e së Premtes së Mirë, apo Marrëveshja e Blefastit, nënshkrimi solli paqe dhe ndaloi dhunën e grupeve paramilitare.

Marrëveshja u arrit me 10 prill 1998. Dy nga nënshkruesit ishin Tony Blair i Britanisë së Madhe dhe Bertie Ahern, që asokohe ishte Taoiseach (emër që përshkruan kryeministrin e Irlandës).

Konflikti, që historia e njeh me emrin “The Troubles” kishte filluar qysh në vitin 1968 mes protestantëve unionistë (lojalistëve) që dëshironin provinca Irlanda Veriore të mbetje brenda Britanisë së Madhe dhe shumicës katolike nacionaliste (republikanë) që dëshironin të bëheshin pjesë e Republikës së Irlandës.

Me ndërmjetësimin amerikan do arrihej marrëveshja diku në mes të kërkesave të dy grupeve dhe u vendos paqja.

Gjatë një intervistës me Clinton, Blair dhe Ahern, u përmend edhe Kosova, si një nga rastet ku ndërmjetësimi ndërkombëtar solli paqen.

Christiane Amanpour

Gazetarja Amanpour duke i drejtuar një pyetje ish-presidentit amerikan Clinton i tha se “ju keni intervenuar edhe në Kosovë, shtet që sot e kësaj dite është paqësor dhe demokratik”, derisa më pas zgjati pyetjen rreth Marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjën, e cila vazhdon të jetë çështje problematike.

“Kishim problem me Bosnjën për shkak të qasjes së Serbisë, apo sponsorëve si Rusia”, tha Clinton.

Por, vazhdoi duke shtuar se “janë të pakta vendet ku kemi pasur një problem të veçantë si në Bosnjë, sepse nuk mund të bënim paqe pa serbët e Bosnjës. Dhe pastaj që nga fillimi, ose qeveria serbe e vijës së ashpër ose sponsorët e tyre rusë gjithmonë kërkonin paralizë, paralizë, paralizë”.

Megjithatë, Clinton tha se duhet të pranohet që “ata janë ende shumë më mirë sesa kur po masakronin njëri-tjetrin në një numër masiv”.

“Por shpresoj se një ditë do të zgjidhet. Por kjo është ndryshe sepse ata vendosën të ndajnë të ardhmen që në fillim dhe t’u garantojnë të gjithëve një rol në të”, përfundoi Clinton.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore