Lajme

Kosova planifikon të strehojë 20 gazetarë ukrainas


Një gazetar që raportonte sulmet në Kiev.

Kosova, është duke planifikuar t’u ofrojë strehim deri në gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas të cilët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia.

Kjo është bërë e ditur nga një dokument qeveritar i siguruar nga Reuters, të martën e 1 marsit.

Bazuar në këtë dokument thuhet se përparësi do t’u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetrëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Ndërsa, sqarohet se Qeveria fillimisht do të ndajë 150 mijë euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar atyre të punojnë në distancë.

Kiev, Ukraine

Mirëpo, në dokument nuk ka pasur të dhëna se kur do të mbërrinin gazetarët në Kosovë, e cila nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e Bashkimit Evropian, “por i është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, shkruan Reuters.

Në gushtin e 2021, Kosova kishte rënë dakord të presë përkohësisht rreth dy mijë afganë që kërkonin viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Numri më i madh i tyre tashmë janë larguar edhe pse disa janë akoma në pritje të dokumenteve të tyre.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore