Lajme

Kosova nuk është imun ndaj sulmeve potenciale terroriste


Ilustrim

“Kosova nuk është imun ndaj sulmeve potenciale terroriste, pavarësisht punës së mirë të institucioneve të sigurisë në parandalimin e akteve të mundshëm terrorist”.

Kjo pasi që shumë simpatizant të grupeve ekstremiste në Kosovë edhe pse me potencial më të vogël rreziku, janë jashtë radarit institucional.

Kështu ka deklaruar për Albanian Post, Shpat Balaj hulumtues i politikave të sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

“Synimi i çdo grupi ekstremist me bazë fetare, politike apo etnike që vepron drejtpërdrejt në Kosovë është imponimi i agjendave dhe ideologjive të ndryshme që sfidojnë dhe rrezikojnë identitetin shtetëror, rendin demokratik e karakterin sekular të Kosovës”, ka thënë Balaj për AP.

Shpat Balaj hulumtues i politikave të sigurisë nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë (QKSS).

Ndërsa me këtë mendim nuk pajtohet Studiuesi i konfliktit dhe medias, Abit Hoxha, pasi sipas tij marrë për bazë statistikat, secili qytetar i Kosovës rrezikohet disa herë më shumë nga ndonjë aksident trafiku se sa sulmi terrorist.

“Synimi i tyre në Kosovë është tërheqja e vëmendjes dhe mbjellja e frikës. Kosova nuk bie nën ndikimin e shndërrimit në shtet nën rregullimin juridik e social religjioz, por tërheqja e vëmendjes mund të shfrytëzohet për rekrutim apo edhe frikësim të kundërshtarëve”, ka thënë Hoxha për AP.

Studiuesi i konfliktit dhe medias, Abit Hoxha

Balaj, mendon se tek një pjesë e shoqërisë kosovare është përhapur një ndikim i rrymave radikale edhe pse sipasi tij Kosova edhe si shtet por edhe si shoqëri nuk është e ndikuar drejtëpërdrejtë nga grupet radikale fetare.

“Ndikimi i rrymave radikale ka disa faktorë, një prej tyre është përhapja e ideve dhe praktikave fetare të importuara nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, qoftë përmes ofrimit të edukimit për individ, ashtu edhe përmes shtrirjes së aktiviteteve të organizatave të ndryshme kontraverse në Kosovë”.

Përveç importimit të ideologjive fetare nga vendet ku ka manifestim të radikalizmit, Balaj si arsye se pse në Kosovë ka ndikim të konsiderueshëm të grupeve të ndryshme terroriste e sheh tek gjendja socio ekonomike e qytetarëve të saj dhe mungesës së perspektivës.

Në anën tjetër, Hoxha mendon se Kosova nuk është e ndikuar shumë nga “radikalët islamik”, edhe pse sipas tij kjo nuk e shpjegon çështjen e rekrutimi të kosovarëve nëpër grupe të ndryshme terroriste jashtë Kosovës.

Sipas tij shpërfaqja e fesë në publik nuk është as ekstremizëm as radikalizëm ndërsa veprime ilegale të grupeve të ndryshme në emër të organizatave terroriste në Kosovë ka shumë pak.

“Eksportimi i dhunës nga ana e kosovarëve, në formën e terrorizmit përmes ‘luftërave të huaja’ në organizata të ndryshme terroriste duhet parë nga prizmi ideologjik, dhe rrjetin e tyre në këto rekrutime. Ky ndikim nuk bëhet vetëm me mjete financiare por edhe me përfitime të tjera sociale që manifestohet ndryshe në kontekstin religjioz”, është shprehur Hoxha.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, këto grupe të ndryshme terroriste të cilët jan tkurrur në grupe më të vogla pas shpërbërjes së Shteti Islamik, ISIS, kanë për qëllim përgaditje të sulmeve të ndryshme kundër infrastrukturës së vendit apo për ndonjë qëllim ideologjik të tyre.

“Lufta kundër terrorizmit është një luftë e gjatë e cila në vete ka shumë elemente të panjohura prandaj Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë duhet që ndaj këtyre grupeve të ushtrojë një ndikim  dhe mbikëqyrje edhe më të rreptë”, ka thënë Shala për AP.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala

Arrestimi i pesë kosovarëve të dyshuar për terrorizëm 

Gjatë ditës së diel, në Kosovë janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për terrorizëm.

Ky arrestim ka ardhur pas një hetimi disa mujorë dhe zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale ‘Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë së Kosovës pas përfundimit të aksionit të arrestimit të pesë personave të dyshuar për terrorizëm.

Prokuroria Speciale kishte njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrit , dron, si dhe armë anti-tankë.

Armët anti-tankë të sekuestruara nga ana e Drejtorisë Kundër Terrorizimit në kuadër të Policisë së Kosovës

Lidhja e kosovarëve me organizata terroriste

Që nga koha e shpërthimit të konfliktit të armatosur në vitin 2011 në Siri dhe Irak, mbi 350 kosovarë udhëtuan drejt këtyre vatrave të luftës.

Pjesa më e madhe e tyre burra iu bashkuan organizatave terroriste atje, kryesisht grupit militant, Shteti Islamik, ISIS.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës mbi 80 kosovarë u vranë në zonat e luftimeve në vendet e lartpërmendura, ndërsa diku edhe 96 qytetar nga Kosova ende gjenden në Siri.

Ndërsa pjesa tjetër e mbetur u riatdhesua në mënyrë të organizuar nga kampet e Sirisë.

Kështu më 17 korrik të këtij viti institucionet e Kosovës riatdhesuan 11 shtetas kosovar nga zonat e konfliktit në Siri.

Një operacion tjetër e riatdhesimit ishte bërë edhe në muajin prill të vitit 2019, ku u riatdhesuan 110 kosovarë.

Flamuri i Shteti Islamik, ISIS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore