Lajme

“Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e kërkesave të BE-së”, ambasadori finlandez pret heqjen e masave ndaj Kosovës


Ambasadori finlandez në Kosovë, Matti Nissinen, është shprehur optimist se Bashkimi Evropian së shpejti do t’ia heq masat ndëshkuese Kosovës, pasi Qeveria nuk i kishte përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian për shtesnionim të situatës në Veri.

“Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian. Pra, shpresojmë se së shpejti do të jemi në një situatë më pozitive për këtë”, tha ai gjatë një interviste për Kosovapress.

Teksa ka folur për raportet mes dy shteteve, ai ka theksuar se mbështetja e Finlandës ndaj Kosovës në të gjitha aspiratat evropiane dhe euroatlantike nuk do të mungojë në të ardhmen.

“Finlanda ka qenë shumë mbështetëse për çdo politikë të jashtme apo aspirata të tjera që mund të ketë Kosova dhe kjo vazhdon të jetë kështu. Pra, ajo që dua të theksoj është se mbështetja e fuqishme e Finlandës për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme do të vazhdojë dhe kjo përfshin edhe aspiratat evropiane dhe euro-atlantike”, potencoi ai.

Ndërkohë që liberalizimi i vizave do të ndodhë nga 1 janari, Nissinen ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë Finlandën, teksa shton se vendimi për liberalizimin e vizave ishte i rëndësishëm, sepse Kosova është pjesë e familjes evropiane.

“Para së gjithash, mendoj se ishte shumë i pritur dhe i mirëpritur vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, Finlanda e mbështeti fuqimisht. Dhe jam shumë i lumtur të shoh që ajo do të zhvillohet tani më në fund, në fillim të janarit të vitit të ardhshëm. Dhe mesazhi im do të ishte për të gjithë kosovarët që janë të mirëpritur të vizitojnë Finlandën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore