Kosova

Kosova e Evropa janë në ankth nga kthimi i mundshëm i Trumpit si president, thotë Kurti


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për buletinin e lajmeve, Semafor, ndërsa ka komentuar zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat pritet të mbahen në nëntor të këtij viti, ka potencuar se Kosovën dhe Evropën e ka kapluar një “stres dhe ankth” në rast se në krye të SHBA-ve rizgjedhjet përsëri Donald Trump.

Kjo, sipas tij, për shkak të politikave të Trump të cilat në të kaluarën kanë treguar ndryshime të egra e të papritura.

Për Kurtin është e qartë se mbështetja afatgjate e SHBA-ve për Kosovën nuk ka gjasa të ndryshojë, por “për kthimin eventual të Trump”, sipas Kurtit ka “njëfarë stresi dhe ankthi në të gjithë kontinenti dhe Kosova nuk është ndryshe”.

“Diçka e keqe nuk mund të ndodhë, por më tepër ankthi paraqitet për diçka të panjohur. Çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe si do të mendojnë, dhe se si një urgjencë e caktuar mund të rrëmbejë të gjithë axhendën, kjo është ajo për të cilën njerëzit shqetësohen më shumë”, është shprehur ai në një intervistë për Semafor.

Kurti ka shtuar ndër të tjera se polarizimi “i paprecedentë” në Shtetet e Bashkuara është gjithnjë e më shumë një çështje për liderët evropianë, të cilët duhet të përballen me pasigurinë që rrethon politikën amerikane.

Kryeqeveritari gjithashtu ka vlerësuar se marrëdhëniet jo të mira me ish-emisarin e SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grennell, “mund të jetë një sfidë”.

Me një video-mesazh të gjatë në tetor të vitit 2020, tetëmbëdhjetë ditë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Albin Kurti, asokohe i sapo shkarkuari nga pozita e kryeministrit, i kishte bërë thirrje diasporës shqiptare në Amerikë të votojnë kandidatin, që sipas tij, meritonte të ishte presidenti i 46-të i SHBA-ve nga Partia Demokratike, meqë kështu do t’i binte më mirë edhe Kosovës.

3 vjet e gjysmë më vonë, Kurti tash në postin e kryeministrit për të dytën herë me radhë pohoi se relacionet e Kosovës me SHBA-të nuk bazohen mbi atë a janë në pushtet Republikanët apo Demokratët.

“Unë besoj që për qeverisjen e mirë në Kosovë dhe për të ardhmen e shtetit tonë duhet të shohim dallimet midis partive tona dhe jo partive në Amerikë”, deklaroi ai, ndonëse në vitin 2020 kishte një qëndrim krejt ndryshe

Kurti, në vitin 2020, vlerësonte se me ardhjen në pushtet të Biden, pozicioni i Kosovën në raport me Serbinë do të forcohej, kjo pasi që sipas tij, Biden ishte një mik i vërtet dhe një aleat i dëshmuar i shqiptarëve.

“Do të ngjallte shpresë të re në kërkimin tonë për njohje të ndërsjellët me Serbinë, përmes një procesi paqësor që është i ndershëm, transparent i ndjeshëm ndaj historisë dhe i paanshëm. Një Shtëpi e Bardhë e Biden-it do të sjellë kthimin e udhëheqjes amerikane, e cila është shumë e nevojshme, në botën e rrezikshme me të cilën përballemi sot”, thoshte Kurti në një video-mesazh dedikuar shqiptarëve që jetojnë në ShBA-të.

Dikur ftonte të votohej Joe Biden, tash Kurtit i ndryshojnë preferencat politike në Amerikë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore