Lajme

Kosova anëtarësohet në Justice Action Coalition


Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova është anëtarësuar në Justice Action Coalition, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një grupi të shteteve tjera perëndimore që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet.

“Me iniciativë të Presidencës së Republikës së Kosovës, si pjesë e zotimeve të Samitit për Demokraci, Kosova është anëtarësuar në Justice Action Coalition, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara dhe një grupi të shteteve tjera demokratike që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftimin e presidencës.

“Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, në këtë njoftim përmenden disa suksese të vitit të kaluara të Kosovës sipas tri zotimeve të Samitit për Demokraci, “të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore”.

“Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë ‘Vitit të Veprimit’, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit”, thuhet aty.

Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci ishte folëse në seancë plenare me presidentin francez Emanuel Macron, kryeministrin britanik, Sunak dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, ku ndër të tjera, kishte nënvizuar se “përkushtimi i Republikës së Kosovës për demokraci ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore